Mehaj: Objektivë e imja si ministër është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë të ditur se sot ka paraqitur qasjen e Ministrisë së Mbrojtjes në drejtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Mehaj përmes një postimi në ”Facebook”, ka theksuar se një ndër objektivat e tij si ministër është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes.
”Prezentova disa nga aktivitetet kryesore që ministria jonë ka ndërmarrë me qëllim të përafrimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Në këtë proces, ne mbështetemi në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, si aktere kyçe dhe bartëse e proceseve të anëtarësimit dhe të diplomacisë së jashtme. Përveç iniciativave dhe programeve në të cilat ne si Ministri e Mbrojtjes jemi të përqendruar, me ekspozenë time elaborova edhe qasjen time strategjike, në drejtim të promovimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vizioni ynë i natyrshëm është rruga drejtë NATO-së dhe BE-së, si qëllimi ynë kombëtar dhe shtetëror i vetëm”, ka shkruar Mehaj në ”Facebook”.
Sipas Mehajt, Kosova ka resurse dhe mund të ofrojë kapacitete shumë të rëndësishme në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale, kontinentale e globale./21Media