Kurti: Do të ketë nisma të reja në dialog, por Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje

Kryeministri i vendit Albin Kurti thotë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmon se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel.
Kurti duke folur për planin franko-gjerman për dialogun, thotë se afatizimi i tij deri në mars të vitit të ardhshëm është bërë nga ndërmjetësit e dialogut.
Ai thekson se Serbia më shumë është e interesuar për shkaktimin e krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor për t’i zgjidhur ato.
“Është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet në Bruksel. Me datën 18 gusht ka ndodhur një takim në procesin e bisedimeve le të themi historik, por me h të vogël, pasi për herë të parë agjenda e ka pasur rendin logjik të gjërave… Tri javë më vonë u bë propozimi që e kemi konsideruar si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme nga emisarët specialë, të cilët erdhën edhe në Prishtinë me atë që është quajtur iniciativa franko-gjermane për marrëveshjen që i përngjanë dy Gjermanive me elemente dhe opsione të ndryshme. Unë besoj se aty thirrja që bëhet në vlera demokratike evropiane është pozitive, por procesi negociator do të tregojë si do të shkojë më tutje. Por është e qartë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe dialog. Ajo është e interesuar vetëm për shkaktim të krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor që i zgjidh ato”, thotë ai.
Sa i përket dorëheqjeve nga institucionet të serbëve lokalë, Kurti thotë se nuk mund t’iu bëjë thirrje atyre të kthehen në institucione, por ata duhet të aplikojnë, pasi i braktisën ato.
“Unë nuk mund të bëj thirrje për kthim të atyre të cilët hodhën uniformat e Republikës së Kosovës. Unë mund t’i thërras të gjithë për aplikim, pra duhet të bëhet një aplikim i ri. Por kthimi nuk mund të bëhet se unë nuk jam penduar që ata kanë dalë, por duhet të jetë penduar ata pse i braktisën institucionet. Institucionet nuk janë vetëm të qeverisë, shqiptarëve dhe unë besoj se është e domosdoshme që serbët të aplikojnë”, tha Kurti në një intervistë për KP.
Kurti flet dhe për mungesën e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare gjatë vitit 2022.
“Nuk janë të kollajshme njohjet e reja, kur kemi trashëguar marrëveshje të vjetra në kuadër të një dialogu, i cili nuk ka qenë i sinqertë dhe serioz, me marrëveshje të cilat përgjithësisht nuk janë zbatuar për shkak të Serbisë, por këto vendet mos njohëse kanë qenë të stepura duke thënë se po e presin rezultatin e dialogut. Nuk është kollaj të sigurohen njohje të reja kur ndodhesh në këtë proces. Prandaj kur të fillojë dialogu politik, sidomos nga vitit 2013 dhe këndej, gjithçka u bë më vështirë. Por ajo çka kemi ndërmarrë ne kemi aplikuar në Këshillin e Evropës më 12 maj, kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkim Evropian më 15 dhjetor dhe të njëjtën kohë, për çfarë jemi shumë të lumtur është edhe formimi i grupit punues për aplikim në të ardhmen e afërt për anëtarësim në NATO, meqë rast, natyrisht që Partneriteti për Paqe është guri i rëndësishëm kilometrik në rrugën përpara. Është e pritshme se më parë do të anëtarësohemi në NATO, pastaj në Bashkimin Evropian, por ne duam t’i bëjmë të dyja këto. S’kemi alternativë tjetër”, përfundon ai.
Kurti numëroi sukseset e Qeverisë: Buxheti i shtuar për ushtri një e arritur e madhe
Kryeministri i vendit Albin Kurti ka deklaruar se me ligjin për paga po rregullojnë barazinë e brendshme, pasi do të ketë një nivel të përafërt midis pagës së profesorit të rregullt, prokurorit apo gjyqtarit dhe mjekut specialist.
Kurti është shprehur i bindur se kanë qenë qeveri e suksesshme, madje duke mos u bazuar në krizën e shumëfishtë, e cila nuk ishte vetëm kosovare. Sipas tij, gjatë këtij viti, kabineti qeveritar ka arritur të ketë 20 % në shumë vendime qeveritare se sa vitin e kaluar, pasi janë 1069 vendime nga 117 mbledhje gjithsej për më pak se sa gjysmën e mandatit.
Ai përmendi miratimin e 71 projektligjeve, 70 emërimeve dhe 22 koncept dokumente.
“Ne jemi shumë të lumtur që do të kemi një rritje ekonomike prej 4 % të Bruto Produktit Vendor, pasi të hiqet inflacioni. Vjet e kemi pasur 10.7 % të Bruto Produktit Vendor dhe janë rritur eksportet për 22 % sivjet, janë rritur të hyrat doganore për mbi 11 %, janë rritur të hyrat tatimore për gati 22 % dhe janë rritur investimet të huaj direkte për 47 përqind. Gjithashtu kemi pasur në prill pakon e ringjalljes ekonomike prej 100 të cilës ia kemi bashkangjitur në shtator pakon e përballje me inflacion 150 milionë euro dhe unë besoj që kjo e dyta ka ndikuar edhe në kursim të energjisë elektrike prej 15 % për amvisri për muajin nëntor të këtij viti, krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Rezervat shtetërore për 15 herë dhe 5 mijë gra janë punësuar me masën 1.3, me që rast janë punësuar gjithsej persona me aftësi të kufizuar 239, 119 burra dhe 120 gra sepse ky vit ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara. Ajo çfarë duhet të përmendet është që tashmë do të kemi një projektligj të ri dhe ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe është bërë ligj, është ligjin për pagat dhe ndonëse kemi pritur më gjatë, po e rregullojmë barazinë e brendshme, ku paga më e lartë e presidentes do të jetë vetëm 1.5 herë më e lartë se sa e mjekut specialist, do të jetë vetëm 3.12 herë se sa e ushtarit të thjeshtë dhe do të ketë një nivel të përafërt midis pagës së profesorit të rregullt, prokurorit apo gjyqtarit dhe mjekut specialist në anën tjetër “, tha ai, duke shtuar se 30 mijë nënave lehona u kanë dhënë shtesa dhe që të gjithë fëmijëve deri në moshën 13 vjeçare, ndërkaq moshën 16 vjeçare menjëherë në vitin e ardhshëm.
Sipas tij, një premtim që e kanë dhënë për katër vite mandat, po e realizojnë brenda gjysmë mandati dhe do t’i përfshinë diku rreth 260 mijë përfitues.
“Ajo për çfarë jemi krenarë që i kemi zhvilluar 850 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës dhe me këtë rast janë arrestuar 3052 persona, 288 janë zyrtarë publikë, me që rast janë shkatërruar 69 grupe kriminale dhe janë konfiskuar afër 2 tonë substanca narkotike. Po ashtu, në bujqësi kemi ndarë rreth 70 milionë euro për 28 mijë fermerë dhe eksportet e produkteve bujqësore dhe ushqimore janë shtuar për 44 %. Duhet të përmendur edhe buxheti i shtuar për ushtri që është një arritur e madhe. Këtë vit e pasur buxhetin 52 % më shumë se sa në vitin e kaluar, ndërkaq në vitin e ardhshëm do t’i kemi edhe 20 % më shumë buxhet për ushtrinë tonë, ku në këtë vit kemi rekrutuar 820 ushtarë dhe 30 kadetë, ndërkaq në proces të rekrutimit janë edhe 612 ushtarë aktiv dhe 388 rezervë dhe unë ftoj të gjitha djemtë dhe vajzat e vendit që të aplikojnë“, tha Kurti në një intervistë për KosovaPress.
Kryeministri Kurti ka përmendur edhe buxhetin e rritur për Qendrën Kinematografike, shëndetësinë, sistemin dual, por edhe fondacionet e marra nga BE dhe Gjermania për ujërat e zeza dhe mbeturinat. Kurti është pyetur edhe për vonesën në investimet kapitale, ku tha se ka filluar një dinamik e re e punimeve.
“Nuk ka punë të cilat janë kryer e nuk paguhen dhe tash e kemi bërë edhe projektligjin e ri i cili do të na mundësojë neve të kompensojmë për shkak të inflacionit për operatorët e ndryshëm ekonomik, me ç’rast ne edhe u patëm bërë thirrje operatorëve ekonomik që në këtë krizë të inflacionit duhet që të gjithë ta barrën, jo vetëm konsumatori e punëtori por edhe ndërmarrësit dhe qeveria do të ndihmojë dhe tash ka filluar një dinamik e re e punimeve. Pra nuk ka borxhe shteti ndaj ndërmarrësve ekonomik privat”, tha ai.
Ai është pyetur nëse do të arrijnë premtimet në shëndetësi, kur tanimë dihet se për më shumë se dy muaj nuk kishte emëruar ministër të këtij dikasteri.
“Tash do të punojmë edhe më shumë se sa në të kaluarën në shëndetësi dhe unë besoj që emërimi i tretë i Arben Vitisë do të jetë një gjë e cila do të dëshmohet se ia ka vlejtur edhe sa i përket mirëqeverisjes por në të njëjtën kohe edhe sa i përket një dobie të përshpejtuar në këtë sektor. Me këtë rast më lejoni të falënderoj përzemërsisht për kontributin e tij të madh me përpjekje titanike në kushte tejet të vështira të doktor Rifat Latifit“, tha Kurti.
Ai u ndal tek mundësia për t’i ndihmuar refugjatët afganë e ata nga Ukraina, ku tha se 1893 refugjatë afganë janë strehuar në vendin tonë e tash së fundmi 5 gazetare me familjet e tyre, si dhe 12 gazetarë nga Ukraina, ndërkohë që zotimi është për 5 mijë refugjatë nga Ukraina, pasi atje po mbrohet demokracia, liria dhe siguria e kontinentit tonë dhe jo vetëm.