A janë përmbushur premtimet, sa gra udhëheqin drejtoritë komunale

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, gratë kosovare kërkojnë nga autoritetet e vendit më shumë angazhim në përmirësimin e pozitës dhe rolit të tyre në vend.
Por, sa është numri i grave udhëheqëse nëpër Komunat e Kosovës?
Disa grave u është besuar udhëheqja e drejtorive komunale.
Portali rtv21.tv ka realizuar intervista me kryetarët e Komunave të Kosovës, gjatë intervistave janë pyetur edhe për numërin e drejtorive që udhëhiqen nga gratë. Pyetjeve të rtv21.tv iu janë përgjigjur 11 kryetarë komunash.
Në bazë të përgjigjeve të tyre del se Drenasi, Obiliqi dhe Hani i Elezit janë komunat që 50% të punës ua kanë besuar grave. Ndërsa disa kryetarë tjerë janë arsyetuar se “nuk ka pasur gatishmëri nga ana e grave profesioniste për të marrë përgjegjësi në pozita udhëheqëse” e disa thonë se edhe pse nuk janë drejtoresha në komunë, janë në shkolla e çerdhe.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci për portalin rtv21.tv ka thënë se edhe gjatë këtij mandati nga 12 drejtori sa janë në këtë Komunë, 6 udhëhiqen nga gratë.
“Jam zotuar se gruaja do të jetë në vendimmarrje, edhe këtë mandat nga 12 drejtori, 6 prej tyre udhëhiqen femra. Nga 6 drejtori që janë drejtoresha, ato janë; Drejtoria e Adiminstratës së Përgjithshme, Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë Lladrovci.
Po ashtu kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi për rtv21.tv ka thënë se përbërja ekzekutive në komunën që udhëheq ai është 50:50.
“Drejtoritë që udhëheqen nga gratë janë: Drejtoria e Administratës së Përgjithshme, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave, Drejtoria për Mbrojtje dhe Mjedis”, ka thënë ai.
Edhe në komunën e Hanit të Elezit udhëheqja është 50:50. Kreu i kësaj Komune, Mehmet Ballazhi për rtv21.tv ka thënë se nga 8 drejtori, 4 drejtohen nga gratë.
“Në komunën tonë janë 8 drejtori, prej të cilave 4 udhëhiqen nga gratë: Drejtoria për Zhvillim Ekonomik: Majlinda Kaloshi, Drejtoria e Administratës së Përgjithshme: Natyra Kalisi, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenjes Sociale: Kimete Kuka-Hasallari, Drejtoria për Buxhet dhe Financa: Lindita Ballazhi”, ka thënë ai.
Por, komuna e Podujevës, Klinës, Ferizajt, Vitisë, Kaçankut, Rahovecit, Suahrekës dhe Malishevës grave ua kanë lënë 2 ose 3 drejtori.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi për rtv21.tv ka thënë se pjesë e kabinetit të tij janë 3 gra.
“Dy drejtoresha dhe nënkryetarja e komunës. Gratë udheheqin me Drejtorinë e Administratës dhe Drejtorinë për Pronë, Kadaster dhe Gjeodezi”, ka thënë Bulliqi.
Ndërsa, Zenun Elezaj i Klinës ka thënë se ndryshe kanë synuar e ndryshe u ka dalë. Ai për rtv21.tv ka thënë se në komunën e tij gratë mbajnë dy pozita të rëndësishme.
“Në fillim të mandatit të dytë ne kemi synuar që të kemi një ekip profesionistësh dhe të paktën të kemi tre gra në pozita udhëheqëse, por realisht nuk kemi hasur në gatishmëri nga ana e grave profesioniste që kemi pasur në struktura për të marrur përgjegjësi në pozita udhëheqëse, por posti i dytë më i rëndësishëm në komunë, ai i nënkryetarit të komunës, udhëhiqet nga një grua. Po ashtu, edhe drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit udhëhiqet nga një grua”, ka thënë Elezaj.
Në komunën e Ferizajt dy drejtori udhëhiqen nga gratë. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu për rtv21.tv ka thënë se grave ia ka besuar financat dhe kulturën.
“Po ashtu në kuadër të udhëheqjes së lartë komunale kemi edhe Udhëheqësen e Zyrës së Personelit si dhe Udhëheqësen e Zyrës se Prokurimit”, ka shtuar ai.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti ka thënë se në këtë komunë janë 3 drejtoresha. Por, ka shtuar se gratë janë pjesë dhe udhëheqëse edhe të institucioneve të tjera komunale.
“Momentalisht, nga femrat udhëhiqen tri drejtori komunale: Drejtoria e Arsimit, Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Poashtu si udhëheqëse, femrat janë të përfshira në disa institucione komunale, është drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, drejtoresha e Çerdhes së qytetit, drejtoresha e shkollës fillore “Skender Emërllahu” në Ramjan, drejtoresha e shkollës fillore “Halil Alidema” në Pozheran etj. Jemi munduar që në çdo institucion apo zyrë të komunës, të përfshijmë femrat, si pjesë të pandashme vendimmarrëse të proceseve të ndryshme”, ka thënë Haliti për rtv21.tv.
E Besim Ilazi, kryetar i Komunës së Kaçanikut ka thënë u ka dhënë pozita grave në Komunë aq sa ka premtuar.
“Ashtu edhe siç kemi premtuar gjatë fushatës parazgjedhore, nga 9 drejtori 3 prej tyre udhëhiqen nga gratë. Por marrë edhe në sektorë të tjerë, kemi gra që udhëheqin drejtori të institucioneve arsimore si dhe sektorë të ndryshëm në administratën komunale”, ka thënë Ilazi për portalin rtv21.tv.
Në Komunën e Rahovecit janë po ashtu dy drejtoresha.
“Saranda Sallteku- Drejtoreshë e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Përkujdesjes Sociale. Nora Boshnjaku- Drejtoreshë e Drejtorisë për Punë Inspektuese”, ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj për rtv21.tv ka thënë se në komunën e tij janë disa pozita që udhëhiqen nga gratë.
“Gjithsejt në Komunën e Suharekës janë 10 drejtori. Pozita udhëheqëse nga gratë janë disa. Është Nënkryetarja e udhëhequr nga Mihrije Suka, Drejtoria e Kulturës Rinisë, Sportit dhe Mërgatës nga Lorika Gashi, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga Besa Kuqi dhe Drejtoria e Administratës nga Kymete Bajraktari”, ka thënë Muharremaj.
Në komunën e Malishevës gratë i kanë dy drejtori.
Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati ka thënë se përveç këtyre dy drejtorive gratë janë të angazhuara edhe në kabinetin e tij.
“Dy drejtori Udhëhiqen nga gratë, ajo për Arsim dhe drejtoria për Inspektoriat. Rreth 20%, mirëpo kemi te angazhuara gra edhe ne kabinetin e Kryetarit”, ka thënë Kastrati.
Portali rtv21.tv ka kërkuar përgjigje edhe nga komuna e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës, Lipjanit, Shtimes, Istogut, Gjilanit, Kamenicës, Skënderajt, Vushtrris e Deçanit, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur. Ndërsa, kryetari i Dragashit Bexhet Xheladini ka pohuar se “veç sa e ka marrë detyrën”./21Media

Back to top button