Abrashi: Vitia do të bëhet me qasje në autostradën “Arbën Xhaferi”

 

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ku kanë diskutuar për projektet që janë duke u kryer dhe për kyçjen në autostradën “Arbën Xhaferi”, të kësaj komune.

Abrashi tha se është ndër prioritetet kryesore kyçja në Gërlicë, duke konsideruar se banorëve të kësaj ane duhet t’iu mundësohet qasja më e lehtë në rrugë.

“Jemi duke punuar dhe do të bëjmë çmos që kjo të realizohet sa më parë dhe që qytetarët të mos sillen rrotull. Do ta gjejmë zgjidhjen më të mirë që banorëve t’iu mundësohet qasja në autostradën “Arbën Xhaferi”, tha Abrashi.

Ministri bëri të ditur se janë edhe një sërë projektesh në këtë komunë të cilat janë duke u kryer.

“Të gjitha komunave po u japim prioritet në rregullimin e infrastrukturës, e edhe në Komunën e Vitisë janë një sërë projektesh që do të financohen”, tha Abrashi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, tha se kyçja në këtë autostradë përmes Gërlicës është jo vetëm kërkesë e banorëve të komunës së Vitisë, por edhe e banorëve të fshatrave të Ferizajt dhe Kaçanikut.

Gjithashtu në këtë takim është folur edhe për nevojën e realizimit të shumë projekteve të tjera infrastrukturore në këtë komunë, ndër to për qarkoren e qytetit të Vitisë, realizimin e hyrjeve dhe daljeve me Gjilanin dhe Ferizajin, ndërtimin e disa urave, rregullimin e rrugës Viti-Kërbliqë dhe rregullimin e rrugës alternative në Stubëll “Anton Çeta” si dhe projekte të tjera jetike për qytetarët e kësaj komune./21Media

Back to top button