“Albin Zajednica”, PSD ngjyros rrugët dhe ndërtesën e Qeverisë

Partia Socialdemokrate u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e së shtunës. Kjo parti ka shprehur kundërshtinë ndaj asociacionit, duke deklaruar se kryeministri Albin Kurti po e pranon duke e quajtur “vetmenaxhim”.

Aktivistë të PSD-së kanë ngjyrosur rrugët e disa objekte me mbishkrimin “Albin Zajednica”.

Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni tha se Kurti e ka quajtur asociacionin “zajednicë” për të ikur nga e vërteta.

“Emrin “Zajednicë” asociacionit ia ka lënë vet Albin Kurti. Është ai që e ka pagëzuar asociacionin me Zajednicë. Ne të gjithë kemi qenë kundër asociacionit për shkak se asociacioni në vetvetë ka qenë i dëmshëm, për shkak se paraqet ndarje etnike. Mirëpo, Kurtit nuk i ka mjaftuar kjo, ai ka pasur nevojë për një fjalë serbe, në mënyrë që kështu të krijojë një lidhje të shkurtër edhe me i sulmua politikanët e të përfitojë pushtet për vete. Pra, kur ai e ka kundërshtuar asociacionin edhe e ka quajtur zajednicë, nuk i ka bërë shumë përshtypje sa i dëmshëm është asociacioni. Po si mund të përdoret ky për të sulmuar kundërshtarët politik”, ka thënë Hyseni.

Ai shtoi se shefi i ekzekutivit po e zbaton këtë marrëveshje, ani pse tenton ta paketojë ndryshe.,

“Dikur kur iu ka nevojitur për ta bërë jashtëzakonisht dëmshëm asociacionin e ka quajtur zajednicë. Sot që po i duhet për tu fshehur, asociacioni po e quan ‘vetmenaxhim’. Mirëpo, si herën e parë, si herën e dytë kemi të bëjmë me një projekt jashtëzakonisht të dëmshëm, të cilin Kurti po e zbaton. Tash që po e zbaton ka vendosur t’ia ndërrojë emrin. Ata që dikur e ka quajtur Zajednicë, tash po e quan vetmenaxhim. Në fakt kemi të bëjmë me të njëjtin projekt të dëmshëm, veçse tash është njeri tjetër që ka për ta zbatuar. Duke qenë se është njeri tjetër që do ta zbatojë, po donë edhe ta paketojë pak më ndryshe”, ka shtuar ai.

Nënkryetari i PSD-së pas aksionit simbolik ka bërë thirrje për protestën e së shtunës.

“Ata përmes së cilës ti i ke ngjitur emër dikujt ose diçkafit, sot është bërë mbiemri yt. Emrin zajednicë e ka ngjitur Albini, sot zajednica është mbiemri i vet Albin Kurtit. Ne i ftojmë të gjithë ata që janë kundër këtij projekti jashtëzakonisht të dëmshëm, që të shtunën të na bashkohen në protestë. Kosova është më e rëndësishme se secili politikan”, përfundoi Hyseni.

Back to top button