Alibeaj i kërkon Ramës të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Shkodër, Lezhë e Durrës

Një grup i deputetëve të Partisë Demokratike të kryesuar nga Enkeled Alibeaj kanë kërkuar sot shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në tre qarqe, Shkodër, Lezhë e Durrës.
“Me disa firma të mbledhura të deputetëve Agron Gjekmarkaj, Merita Bakiu, Andja Ulliri, Elidon Bushati, Ramadan Likaj, Ferndinant Xhaferraj, Lindita Metaliaj, Greta Bardheli, përfaqësues të tre qarqeve të goditura më fort nga një fatkeqësi natyrore, kanë iniciuar një kërkesë drejtuar kryeministrit Edi Rama me të cilën kërkohet shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore rajonale në këto tre qarqe., ka thënë Enkeled Alibeaj.
Sipas tij situata e reshjeve ka shkaktuar problematika të rënda në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit si pasojë e përmbytjeve.
“Por, ajo që e bën më të rëndë situatën është dëmtimi i shëndetit dhe jetës së qytetarëve, sic ishte rasti i tragjik i humbjes së jetës së dy qytetarëve, babë e bir, në Malësinë e Madhe. Nisur nga ky bilanc tragjik për shëndetin, jetën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve të këtyre zonave, ne vlerësojmë se përmbushen kriteret kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.”, tha ndër tjerash ai./21Media

Back to top button