Ambasadori francez: Liberalizimi i vizave erdhi falë masave të marra nga Qeveria e Kosovës

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, i është gëzuar lajmit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovën është një rezultat i bukur për qytetarët që ka ardhur falë masave të marra nga Qeveria e Kosovës.

“Pikërisht shkaku i masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Emmanuel Macron u pajtua për liberalizim të vizave verën e kaluar”, ka shkruar Guerot në Twitter.

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS të udhëtimit në Evropë, përkatësisht me hyrjen e tij në fuqi.

Meqë afati për funksionalizimin e ETIAS-it është shtyrë për në vitin 2024, heqja e vizave për qytetarët e Kosovës pritet të bëhet më 1 janar të vitit të ardhshëm./21Media

Back to top button