Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE në sirtarë të BE-së

Anëtarësimi i Kosovës në BE duket se do të mbetët një sfidë për Kosovën edhe gjatë vitit 2024 meqë deri më tash nuk ka ndonjë lëvizje pozitive të BE-së në këtë drejtim. Pushteti thotë se po lobon pa ndalur në këtë drejtim teksa opozita është skeptike për ndonjë hap pozitiv përderisa siç thotë vendi udhëhiqet nga Kryeministri Kurti.

Janë bërë më shumë se një vit që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ende nuk ka ndonjë hap të presidencës së BE-së për shqyrtim të këtij aplikimi.

Zëvëndësministri i punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë se në mosshqyrtimin e këtij aplikimi ka ndikuar qëndrimi i Spanjës ndaj Kosovës e cila në gjashtë mujat e kaluar kryesoi BE-në. Megjithatë, ai thotë se lobimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE po vazhdon pa u ndalur.

“Aplikimi nuk ka pasur deri më tani një përgjigje nga BE-ja që do të ishte dërgimi i pyetësorit ne po lobojmë në këtë drejtim por duhet ta kemi parasysh që kemi pasur një presidencë të Spanjës, e në gjashtë muajt e fundit që ka qenë presidenca e Spanjës qër shkak të qëndrimit bilateral të Spanjws ne raport me Kosovën nuk e ka bërë punën e lehtë.. Zgjedhjet në PE paraqesin situatë komplekse por ajo çfarë po bëjmë është lobim i përhershëm që sa më parë të marrim pyetësorin dhe t’i përgjigjemi me mijëra pyetjeve që janë aty si një lloj skenimi të gjendjes”, tha Ahmeti.

Përderisa në Qeveri thonë se po vazhdojnë përpjekjet në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, opozita në anën tjetër është skeptike se mund të ndodh ndonjë hap pozitiv drejt anëtarësimit në BE.

“Mendoj që për sa ky vend të udhëhiqet prej Kurtit si kryeministër s’ka njohje s’ka anëtarësim në organizata s’ka status të kandidatit ka vetëm një gjë ecje e Kosovës në një moqzl të thellë”, tha për RTV21 Enver Hoxhaj nga PDK.

Për analistin politik, Gazmir Raci, viti 2024 duhet të jetë vendimtar për hapjen e kapitullit të zgjerimit të BE-së karshi vende të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, aplikimi i Kosovës për anëtarësim duhet të vlerësohet pozitivisht nga BE-ja.

“BE-ja e ka bërë të qartë një plan për zgjerim karshi Ballkanit Perëndimor, Është esenciale që për shkak të zhvillimeve gjepolitike dhe të ndikimeve ruse që po vazhdojnë të jenë prezent në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë. BE-ja të hapë rrugën shpejtë për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimorë për anëtarësim në BE kërkesa e Kosovës për anëtarësim po ashtu duhet të vlerësohet dhe t’i jepet përgjigjja mbi atë kërkesë…s’kemi alternativë tjetër përpos BE-së dhe NATO-s dhe Kosova në asnjë moment nuk luan me dy karta siç bënë Serbia”, theksoi ai për RTV21.

Në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, Belgjika e cila tashmë ka marrë kryesimin e presidencës së BE-së bëri të ditur do të përpiqet për konsensus midis shteteve anëtare, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të gjitha vendeve anëtare dhe duke respektuar plotësisht metodologjinë e zgjerimit të BE-së.

Zëdhënësi i Presidencës belge të BE-së, David Jordens, tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet vendimtar për të ardhmen e Kosovës në BE.

“Për të bërë përparim në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, në termat afatshkurtër dhe afatgjatë, Kosovës i duhet – njësoj si Serbisë – të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe pozitive në dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushë angazhimet e marra në marrëveshjet e kaluara”, tha Jordens.

Kosova më 15 dhjetor të vitit 2022 ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa ishte BE-ja ishte nën presidencën çeke që pasoi me kryesimin nga Suedia dhe Spanja.

Presidencën e BE-së pas Belgjikës, në gjysmën e dytë të këtij viti do ta kryesojë Hungaria./21Media

Back to top button