Arbnor Aliu i bashkohet Kosovës

Një tjetër talent i futbollit ka vendosur të luajë për Kosovën. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Arbnor Aliu, i cili aktualisht luan me ekipin e U19 të Schalke 04 në Gjermani.
Ai luan si qendërmbrojtës dhe është ndër shpresat e mëdha të klubit gjerman, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Talenti dhe përvoja e tij si lider janë të padiskutueshme, ngase që nga mosha e tij e hershme ishte pjesë e të gjitha ekipeve zinxhirë të Kombëtares së Gjermanisë, madje edhe në rolin e kapitenit.
Aliu do të përfshihet fillimisht te Kombëtarja U21, por duke pasur parasysh potencialin dhe cilësitë që zotëron, atëherë pa dyshim se në të ardhmen e afërt pritet të jetë edhe në shërbim të Kombëtares A, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Ai është shprehur i lumtur që do të luajë për Kosovën dhe beson se do të japë më të mirën e tij.
“E kam zgjedhur Kosovën me zemër sepse prindërit vijnë nga Kosova dhe e di që me paraqitjen time në fanellën e Kosovës do ta bëj krenar familjen dhe veten time. Ndihem shumë i lumtur që do të jem pjesë e Dardanëve sepse kam punuar shumë për ta merituar këtë fanellë. Normalisht se nuk ka qenë e lehtë të tërhiqem nga përfaqësimi i Gjermanisë sepse krejt çfarë kam arritur deri më tash është falë Gjermanisë, por në këtë aspekt e kam dëgjuar ndjenjën dhe zemrën time”, ka thënë Aliu.
Ai në fund ka dhënë edhe një mesazh për tifozët Dardanët.
“Pres me padurim të paraqitem në fanellën e Kosovës dhe t’i dëgjoj brohoritjet e tyre. U premtoj se do të jap maksimumin tim për të arritur sa më shumë suksese dhe për t’i bërë të gjithë krenarë”, ka thënë Aliu.
Ndërkaq, presidenti Agim Ademi ka thënë se është i lumtur që po rritet numri i futbollistëve të talentuar e cilësor që po i bashkohen ekipeve të Kombëtares së Kosovës./21Media

Back to top button