Asgjësohen mbi 100 kg drogë në Deçan e Gjakovë

(Live update)

Gjatë aksionit të sotëm anti-drogë janë sekuestruar dhe asgjësuar mbi 100 kilogramë drogë në vlerë prej 600 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve, ka njoftuar se sot janë bastisur dhjetë lokacione në Deçan dhe Gjakovë, ku janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit 7 persona të dyshuar për veprat penale, “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës apo kanabisit” dhe “Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“Gjatë bastisjeve në komunën Gjakovë janë sekuestruara rreth 500 gram narkotikë të dyshuar të llojit kokainë, ndërsa gjatë bastisjes në komunën e Deçanit në disa lokacione janë sekuestruara dhe asgjësuar rreth 180 bimë të mbjella të narkotikëve të llojit marihuanë, në sasi totale mbi 100 kilogramë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe armë, telefona, para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështje penale.
Prokurori i shtetit brenda afatit ligjor kundër 7 të pandehurve do paraqes kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente.
 
Përfundon aksioni anti-drogë, sekuestrohen 180 bimë narkotike
Ka përfunduar aksioni anti-drogë i nisur mëngjesin e sotëm në zonën e Dukagjinit. Ky aksion ka rezultuar me arrestimin e 7 personave dhe sekuestrimin e 180 bimëve narkotike të llojit marihuanë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi për portalin rtv21.tv  tha se është bërë bastisja e 10 lokacioneve në Deçan dhe Gjakovë.
“Tashmë ka përfunduar aksioni dhe ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave si dhe janë bastisur 10 lokacione. Gjatë aksionit janë sekuestruar 180 bimë të llojit marihuanë të gjata”, tha Nikçi.
Ai për portalin rtv21.tv bëri të ditur se gjatë këtij aksioni janë konfiskuar edhe armë dhe telefona si prova./21Media

Back to top button