Burg për prizrenasin që akuzohej për dhunë në familje
Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit D.Q., për shkak se është shpallur fajtor për veprën penale “dhunë në familje” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
“Nga muaji dhjetor i vitit 2019, e deri në shtator të vitit 2021 në Prizren, i akuzuari me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare në mënyrë të vazhdueshme i shkakton dhunë psikologjike, fizike dhe seksuale të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, si viktimë e ndjeshme, e kur e dëmtuara shkëput lidhjen bashkëshortore nga i akuzuari për shkak të dhunës së ushtruar, i akuzuari vazhdon keqtrajtimin psikologjik, duke e thirrur vazhdimisht përmes telefonit, e më pas në pamundësi të flas përmes telefonit, i akuzuari vazhdon duke i dërguar mesazhe telefonike me përmbajtje ofenduese dhe kërcënuese, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim të madh emocional dhe ndjenjë të frikës dhe pasigurisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Poashtu, i akuzuari “me datë 2 shtator 2021, në Prizren, me qëllim të dëmtimit të pasurisë së të dëmtuarës, si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve që kishin mes vete, i akuzuari i revoltuar nga kjo situatë, me mjet të fortë e dëmton veturën e të dëmtuarës”.
Për veprën penale “dhunë në familje” ai u dënua me gjobë prej 500 euro dhe burgim me kohëzgjatje prej 1 vjet. Ndërsa për veprën penale “asgjësim dhe dëmtim i pasurisë” është dënuar me gjobë prej 300 euro./21Media