Çmimi i naftës bie në nivel rekord në SHBA

Bota në izolim, bie kërkesa

Çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara ka rënë në nivel të paparë që nga viti 1999, për shkak të rënies së kërkesave, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.

Çmimi i një fuçie të West Texas Intermediate (WTI), që përdoret si pikë referimi për naftën amerikane, ra të hënën për 19.3 për qind, përkatësisht në 14.74 dollarë.

Nafta Brent – standardi i përdorur nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës – ra po ashtu për 2.6%, në 27.35 dollarë për fuçi.

Industria e naftës është duke luftuar me kërkesa në rënie dhe argumente midis prodhuesve për uljen e prodhimit.

Kërkesat kanë rënë pasi shumë vende të botës janë izoluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.

Këtë muaj, pas disa javësh mosmarrëveshjeje, anëtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) janë pajtuar për të ulur prodhimin për rreth 10%, edhe pse disa analistë kanë thënë se reduktimi nuk është aq i madh sa për të bërë ndryshime.

Back to top button