Dënohet me 27 vjet burg tropojani që vrau dhëndrin në Gjakovë

 

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka dënuar me 27 vjet burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Col Imeraj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vjet burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim.

Më pas, ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Të akuzuarit Imeraj në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, i akuzuari Imeraj ishte deklaruar fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohet në seancën fillestare të mbajtur më 16 prill 2021.

Mirëpo, ky pranim i fajësisë i bërë nga ana e të akuzuarit ishte kundërshtuar nga mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Meshari Selimaj, sa i përket veprës penale të vrasjes së rëndë dhe tentim vrasjes, pasi që sipas tij, i njëjti nuk është në gjendje ta kuptojë kualifikimin e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas avokatit, në këtë rast nuk kishte pasur vrasje mizore, derisa edhe për tentim vrasje kishte thënë se nuk ka ekzistuar dashja për ta kryer atë vepër penale.

Sidoqoftë, gjykatësi Drilon Haraçia e kishte aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit, pasi që sipas gjykatësit deklarimi i të akuzuarit është deklarim i vullnetit të lirë dhe se i njëjti nuk ka pasur presion.

Derisa në lidhje me pretendimet e avokatit Selimaj, i njëjti kishte thënë se i përket kualifikimeve ligjore për pikën e parë dhe të dytë të aktakuzës gjykata konsideron se nuk përmban asnjë shkelje të qartë ligjore ose gabime faktike.

Pas kësaj, avokati Selimaj kishte kërkuar edhe përjashtimin e gjykatësit të këtij rasti si dhe të kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, por që Gjykata e Apelit e kishte refuzuar kërkesën për përjashtim të kryetarit të Gjykatës në Gjakovë si të pabazuar, ndërsa më pas kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, e kishte refuzuar kërkesën e avokatit për përjashtimin e gjykatësit Haraçia nga ky rast.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj po akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë mizore dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin Mulaj.

Siç përshkruhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë derisa i ndjeri ishte duke fjetur së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën Diturie Mulaj, i akuzuari pasi më parë e merr një thikë në kuzhinë dhe një çekan hekuri, e thyen derën e dhomës me çekan, hyn në dhomën e tyre e cila gjendet në katin e dytë të shtëpisë dhe së pari e godet të dëmtuarën Diturie me mjet të mprehtë (thikë) dhe atë në krahun e majtë si dhe në regjionin e gishtit të dorës të dorës së djathtë, e me të parë këtë situatë tani i ndjeri N. fillon të dalë nga dhoma dhe në çastin kur kalon në korridorin e shtëpisë në katin e dytë, i akuzuari e godet me thikë edhe atë disa herë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse të përshkruara më së afërmi në raportin e autopsisë për tani të ndjerin, e më pas me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe i cili më pas arrestohet nga policia rreth orës 8:00.

Për këtë, po akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin Mulaj dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës Diturie, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. Dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

I akuzuari Imeraj po akuzohet edhe për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës Diturie të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. /BetimipërDrejtësi

Back to top button