Dushko Arsiq dënohet me 13 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

Dushko Arsiqit i akuzuar për krime lufte në fshatin Butovc të Prishtinës, në periudhën janar-qershor të vitit 1999 u gjet fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe u dënua me 13 vjet burgim.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë nga gjyqtari Vesel Ismaili në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Dosja e prokurorisë thotë se grupi ku ishte pjesëtar Arsiq fillimisht kishin plagosur e vrarë viktima, në mesin e të cilëve i ndjeri Brahim Shala i cili u vra me pushkë automatike e më pas për bartjen e trupit të tij e urdhëruan Artan Krasniqin atë kohë 15-vjeçar.

Në seancën e shpalljes ishte prezent vet i dëmtuari Artan Krasniqi.Arsiq akuzohej se duke qenë pjesë e policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin.

“Pas goditjes të të akuzuarit i dëmtuari bie në tokë pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kshtu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gje je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”- përshkruhet në dosjen e prokurorisë.

E gjithë kjo prokuroria pretendon të jetë kryer në vendin e njohur si “Varrezat e maqedoncve” në fshatin Butovc.

Back to top button