KPK dhe KGJK pezullojnë bashkëpunimin me Qeverinë, reduktojnë punën

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), reagoi lidhur me vendimin e sotëm të Qeverisë për shfuqizimin e vendimit të vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
KPK përmes një njoftimi për media bën të ditur se ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm ku sipas njëzëri kanë vlerësuar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës është vendim kundërkushtetues dhe kundërligjor, si dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.
“Në këtë takim Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nxjerrë vendim ku kërkon nga Qeveria e së Republikës së Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin Nr. 03/109 të datës 23 nëntor 2022.
Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Sipas Këshillit Prokurorial nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale.
18: 26- Këshilli Gjyqësor i përgjigjet Kurtit, pezullojnë aktivitetet me qeverinë, reduktojnë punën në gjykata
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të anulojë vendimin e sotëm për shfuqizimin e vendimit të vitit 2017 të Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që të reduktojë shërbimet në gjykata dhe të pezullojë çdo bashkëpunim apo aktivitet ku prezentë janë përfaqësues të Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë./21Media

Back to top button