Edhe Osmani merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është nisur për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC).
Në margjina të MSC-së, Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare.
Zyra e presidencës ka njoftuar se Osmani do të marrë pjesë po ashtu edhe në panele diskutimi për çështjet e lidhura me sigurinë, duke përfshirë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e paraqitura për kombet demokratike në mbarë botën.
Në këtë konferencë do të marrin pjesë edhe kryeministri, Albin Kurti dhe  zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ndryshe, MSC është themeluar më 1963 dhe që nga atëherë është një forum i pavarur në të cilin promovohen zgjidhjet paqësore të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu./21Media

Back to top button