Edhe sindikata e UP-së vazhdon grevën

Sindikata e Universitetit të Prishtinës ka mbajtur një takim informues me anëtarët e saj, të cilët janë në grevë që nga data 14 janar.

Mirëpo, në këtë takim, sipas njoftimit dërguar nga kjo sindikatë, nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e SBASHK-ut, pa dhënë asnjë sqarim.

“Sindikata e Universitetit të Prishtinës, si pjesë e organizimit sindikal të SBASHK-ut, ka ftuar kryesinë e SBASHK-ut për ta informuar anëtarësinë tonë dhe të tyre për takimet e kryesisë së SBASHK-ut me nivelet vendimmarrëse lidhur me realizimin e kërkesave tona. Në takim nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e SBASHK-ut, pa dhënë asnjë sqarim. Si Sindikatë e Universitetit të Prishtinës, iu bëjmë thirrje të gjithë mekanizmave vendimmarrës që t’i marrin me seriozitet shqetësimet e dy kategorive të të punësuarve në Universitetin e Prishtinës, stafit akademik dhe administrativ, lidhur me Ligjin e Pagave që pritet të dalë në Kuvend me datë 31/01/2019, si dhe për rritje të koeficientit për 30%”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, aty u bëhet  thirrje të gjitha institucioneve, duke filluar nga menaxhmenti i lartë i UP-së, Ministria e Administratës Publike dhe Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që para se ky Ligj të kalojë në Kuvend për miratim, të qartësohet pozicioni i zyrtarëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës, në kategorizimin e koeficienteve brenda këtij ligji.

“Ne si Sindikatë e Universitetit të Prishtinës do ta vazhdojmë grevën deri në realizimin e kërkesave tona”, përfundon njoftimi i dërguar në emër të Mustafë Eminit- kryetar i Sindikatës së Universitetit të Prishtinës.

 

Back to top button