Emërohen organet drejtuese të Operës së Kosovës

Meriton Ferizi është emëruar Ushtrues të Detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Në kuadër të këtij vendimi, është emëruar edhe Këshilli Përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës.
Pjesë e këtij këshilli janë: Merita Juniku, Inva Mula, Dardan Selimaj, Rreze Kryeziu Breznica, Besa Luzha, Edon Ramadani, Mehdi Uka.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Operës ushtron të gjitha të drejtat dhe obligimet e përcaktuara për pozitën e Drejtorit të Operës së Kosovës, veçanërisht inicion, zhvillon dhe administron të gjitha procedurat për krijimin e kushteve të nevojshme të të punësuarve në institucionin e Operës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa, Këshilli përgatitor është i mandatuar të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës, duke përfshirë organizmin e brendshëm, hartimin e akteve nënligjore të nevojshme, krijimin e kushteve adekuate infrastrukturore për punë, planin vjetor të punës etj./21Media

Back to top button