Forcat amerikane dhe shqiptare “tregojnë forcën” në Tiranë

 

Këtë të diel në Tiranë zbarkoi “Defender Europe 21”. Kjo me qëllimin që Forcat e Armatosura të jenë më afër qytetarëve.

Në ceremoninë e stërvitjes ushtarake “Defender 21” që u mbajt në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë të pranishëm ishin edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Presidenti, Ilir Meta.

Edhe njëherë u cilësua historike stërvitja “Defender Europe 21”, ku u theksua edhe se Shqipëria është në mikë e vërtetë e Amerikës.

Shefi i i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor, Bajram Begaj u shpreh se shërbimi ushtarak i forcave të armatosura është detyrim, por edhe krenari e dinjiteti i Shqipërisë.

“Sot qytetarët e Tiranës mund t’i ndjekin, bisedojnë më afër me heronjtë të vërtetë, profesionistët ushtarakë, të vendit tonë dhe popullit mik amerikanë të cilët stërviten së bashku për të mbrojtur vlerat e përbashkëta euroatlantike[…]Në këtë ditë dua të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje për aleatin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i garantoj ata dhe gjithë aleatët e NATO-s se ushtarakët shqiptarë do të jenë të gatshëm për çdo angazhim dhe mision sa herë që kërkohet nga aleatët dhe aleanca dhe të autorizohet nga autoritetet e vendit. Ne do të jemi garant me besën dhe besnikërinë e shqiptarit, me vullnetin dhe profesionalizimin ushtarak për të qëndruar krah për krah me kolegët tanë amerikanë dhe të aleancës edhe në situata më të vështira. Ne jemi një forcë e vogël në numër, modeste në kapacitetet por kudo ndodhur për komunitetet dhe emergjencat e vendit të dislokuar dhe angazhuar në pikat e nxehta të vendit përkrah forcave ushtarake të aleatëve por jo vetëm”, tha ai.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yur Kim në fjalën e saj para të pranishmëve në ceremoninë e stërvitjes ushtarake tha se Shqipëria është një mike e vërtetë për Shqipërinë.

“Ne dimë nga ato përvojat se Amerika e ka një mike të vërtetë dhe të guximshme, një aleate që nuk ka më të fortë dhe më të vërtetë se Shqipëria. ‘Defender Europe 21’ hap një rrugë të re entuziazmues për bashkëpunimin e madh strategjik[..]në vlerësojmë se pavarësisht nga dallimet që mund të ndajnë njerëzit kohë pas kohe, të gjithë ju e pranoni që gjendemi në një moment të rëndësishme në shistori dhe se të gjithë ju sikurse të gjithë ne jemi të bashkuar në marrëdhënien tonë se kjo marrëdhënie mes SHBA-së dhe Shqipërisë është e rëndësishme se marrëdhënia mes amerikanëve dhe shqiptarëve duhet të vlerësohet mbi gjithçka tjetër[…]SHBA qëndron me ju në kërkesën tuaj për një Shqipëri të pavarur dhe të lirë. Do vazhdojmë të qëndrojmë me ju teksa merrni detyra të rëndësishme. Këto detyra janë të vështira por jo të pamundura. Jemi krenarë që jeni aleat me ne këtu sot, krahë për krahë përgjithmonë”, tha ajo.

Stërvitja e ushtarëve përkrah trupave amerikanë po bëhet për t’i dhënë vendit siguri, stabilitet, paqe dhe qetësi qytetarëve. Kështu është shprehur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Në tokë, në det, në ajër në gjithë hapësirat shqiptare mijëra trupa amerikane përkrah pothuajse 1 mijë forcave tona të armatosura janë duke u stërvitur për të treguar forcën tonë, forcën e aleancës sonë, për t’i dhënë siguri, paqe, stabilitet dhe qetësi qytetarëve tonë. Ndaj e kemi vlerësuar shumë të rëndësishme që t’i sjellim qytetarët, civilët pranë përpjekës sonë ushtarake dhe ka vetëm një qëllim kjo përpjekje që të mbajë paqen, të forcojë demokracinë, të na bëjë të flemë të qetë dhe të jemi më të sigurt për të ardhmen. Jam i lumtur që jetoj në një vend që forcat e armatosura janë kaq pranë dhe kaq të mirëpritura nga qytetarët shqiptarë[…]i kemi dhënë mundësinë sot qytetarëve të Tiranës që ta prekin me dorë se çdo të thotë të jesh krenar që je shqiptar”, tha ministri Peleshi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama falënderoi ushtarakët dhe veçanërisht ambasadoren Yuri Kim.

Ai e quajti shfaqje të bukur “zbarkimin” e “Defender Euope 21” në Tiranë, por që nënvizoi se një ekspozitë sikurse kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Dua të nënvizoj dhe faktin që në ndërkohë edhe vetë kjo shfaqje e bukur apo ekspozitë për t’iu dhënë mundësi qytetarëve që të vijnë dhe vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal nuk do ishte e tillë sot nëse nuk do kishte qenë mbështetja konkrete e qeverisë së SHBA-ve për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të ushtrisë shqiptarë, sa për burimet njerëzore aq dhe në aspektin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura me mjete e logjistikë të fjalës së fundit. Unë kam shumë besim dhe bazuar në bisedat me gjeneralët që na nderuan me praninë e tyre në hapjen e kësaj stërvitjeje por dhe në bashkëbisedimin e vazhdueshëm me ambasadoren e SHBA-ve se ne do të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Rama.

“Defender Europe 21” është stërvitja më e madhe ushtarake që është zhvilluar në Ballkanin Perëndimor dhe Shqipëria është vendndodhja kryesore. Me mijëra trupa nga SHBA, por edhe aleatë të tjerë të NATO-s, disa prej të cilëve janë të përfaqësuar, po tregojnë një rritje të aftësive ushtarake për të bashkëpunuar së bashku si aleatë ushtarakë. Në këtë stërvitje të madhe ushtarake janë angazhuar mbi 28 mijë ushtarë, shumica e të cilëve janë amerikanë.

Back to top button