Franca kërkon nga opozita ta shohë Asociacionin me një sy ndryshe

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot deklaroi se marrëveshja e diskutuar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë shërben për të qenë një moment historik. Sipas tij, marrëveshja e ofruar për të dy palët ofron shumë aspekte pozitive për të dy palët.
“Mendoj se jemi në një kohë shumë premtuese, ka një mundësi reale për të bërë progres konkret në rrugën drejt normalizimit te marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja që u diskutua më 27 shkurt ka potencial për të qenë një moment historik dhe ofron shumë për të dyja vendet, për Kosovën dhe Serbinë, për t’u arritur në diskutimet që janë tani, dhe do të vazhdojnë të jenë të frytshme”, theksoi Guerot.
Guerot kërkoi nga opozita, njëjtë sikurse nga Qeveria që formimin e Asociacionit ta shohin me një perspektivë më të gjerë, derisa shtoi se pikëpamjet e BE-së janë në interes të Kosovës.
“Ajo çka pritet, ajo që do të arrihet është diçka shumë pozitive për Kosovën si shtet. Kosova është një demokraci, është në rregull që opozita dhe qeveritë të debatojnë për gjëra të ndryshme, por pikëpamjet tona për marrëveshjen janë në interes të Kosovës, dhe po aq sa ne e inkurajojmë qeverinë që të bëjë lëvizjet që presim prej tyre, për shembull asociacioni, në të njëjtën mënyrë presim nga opozita ta shikojë këtë çështje me një perspektivë të gjerë, me një perspektivë më të madhe dhe të mbështesë ndikimin e komunitetit ndërkombëtar drejt normalizimit”, tha mes tjerash Guerot.
Ipyetur nëse Serbia do ta pranojë marrëveshjen e prezantuar në Bruksel, Guerot tha se nuk mund të dijë atë, porse sipas tij, ka shumë punë për të dy vendet.
“Epo, ne shpresojmë se do të ketë një marrëveshje siç u shpjegua nga z. Borrell, më 18 mars. Tani nëse do nënshkruhet apo jo, nuk mund të flas për këto detaje, që janë të rëndësishme për t’i diskutuar ekipi i z.Lajçak dhe palët. Ajo që është e rëndësishme është vullneti politik dhe ne po kërkojmë që të dy vendet të demonstrojnë zgjedhshmërinë që presim prej tyre, sepse sërish ka shumë për Kosovën, por edhe për Serbinë në këtë paketë, për të dyja vendet”, tha ai.
Bashkimi Evropian më 27 shkurt ka publikuar për herë të parë të plotë tekstin e propozimit evropian, me të cilin parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq, kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka deklaruar pas takimit se “palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.
Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, nën ndërmjetësimin e shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Back to top button