Ftohen fermerët të aplikojnë për kompensim të dëmeve nga vërshimet

 

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka vizituar disa fermerë në zonat të kësaj komune të cilët u prekën nga vërshimet.

Jashari ka thënë se vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në fushat bujqësore.

Por ai ka treguar edhe se fermerët të cilët janë prekur nga këto vërshime do t’iu kompensohen dëmet nga Qeveria e Kosovës.

“Vërshimet e fundit që ndodhën edhe në komunën tonë kanë bërë dëme të konsiderueshme edhe në fushën e bujqësisë. Gjatë këtyre ditëve kemi vizituar disa fermerë në zonat me të prekura nga vërshimet, duke parë nga afër dëmet e shkaktuara në fushat bujqësore. Të gjithë fermerëve që janë prekur nga këto vërshime dhe u janë shkaktuar dëme ju bëjmë thirrje që të aplikojnë në komunën e Skenderajt, për të cilat dëme kompensimi do të bëhet nga Qeveria e Kosovës. Aplikimi bëhet përmes kërkesave të cilat duhet të dorëzohen në administratën e komunës, deri me datën 20.01.2021. Pas aplikimit komisioni i vlerësimit do të shqyrtojë të gjitha kërkesat dhe do të verifikojë dëmet e shkaktuara. Në përkrahje të fermerëve”, ka shkruar Jashari.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka kërkuar nga kryetarët e komunave, që sa më parë të formojnë Komisionet Komunale, për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, ndërsa ka paralajmëruar se në takimin e radhës të Qeverisë në detyrë, i cili pritet të mbahet nesër, do të formohet edhe Fondi Emergjent, ku nga rezervat shtetërore do të ndihmohen komunat në sanimin e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet e ditëve të fundit. Hoti ka qartësuar se dëmet të cilat janë shkaktuar në infrastrukturën publike dhe në tokat bujqësore, do të kompensohen sipas procedurave të rregullta përmes ministrive të linjës. Ndërsa Fondi Emergjent, do të ketë prioritet sanimin e dëmeve në ekonomitë familjare, me prioritet familjet me gjendje më të rëndë socio- ekonomike. /21Media

Back to top button