Fushata 30 ditëshe, “e shkurtër” për Atifete Jahjagën

Ish- presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga sot ka votuar në zgjedhjet lokale që po mbahen në Kosovë. Përmes një postimi në “Facebook” ajo u bërë thirrje qytetarëve që njëjtë të veprojnë edhe ata. Mirëpo, sipas Jahjagës kjo fushatë zgjedhore ishte “e shkurtër”!
“Gjatë fushatës zgjedhore, edhe pse të shkurtër për shkak të pandemisë Covid-19, keni pasur mundësinë të dëgjoni për planet dhe programet e atyre që garojnë në këto zgjedhje lokale”, ka shkruar Jahjaga në një postim në “Facebook” ku tregoi se ajo ka votuar dhe iu bëri thirrje të tjerëve që të veprojnë njëjtë.
“Unë votova, voto edhe ti! Qytetarë të Republikës së Kosovës, sot keni mundësinë të zgjedhni kandidatët e juaj të preferuar për Kryetar Komune dhe Kuvend të Komunës. Investoni në demokracinë tonë dhe në të ardhmën që doni ta keni në cilëndo nga 38 komunat ku jetoni duke hedhur votën tuaj për kandidatët më të preferuar. JU vendosni se kujt ia besoni votën për të qeverisur komunën tuaj në katër vitet e ardhshme”, ka shkruar ajo.
Partitë politike kanë zhvilluar fushatë zgjedhore prej 16 shtatorit deri më 16 tetor. Një muaj fushatë, aq sa ishte paraparë me ligjin për zgjedhjet lokale.
Disa parti politike kishin propozuar dhe ishin pajtuar që fushata të shkurtohet në 10 ose 5 ditë për shkak të situatës me pandeminë Covid-19. Megjithatë, kjo nuk ndodhi! Fushata u zhvillua për 30 ditë por duke respektuar masat antiCovid që i kishte vendosur Qeveria duke mos lejuar grumbullim të qytetarëve./21Media

Back to top button