Grabitje e armatosur në një institucion mikrofinanciar në Prishtinë

 

Sot rreth orës 17:40 ka ndodhur një grabitje të armatosur në një institucion mikrofinanciar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka njoftuar se lidhur me këtë rast është arrestuar një 19 vjeçar vetëm pak minuta pas ngjarjes.

“Menjëherë pas informatës të gjitha njësitë policore të rajonit të Prishtinës janë aktivizuar me shpejtësi dhe kanë nisur punën e tyre në drejtim të identifikimit të dyshuarit, marrjes e përpunimit të informacioneve si dhe kanë realizuar një operacion të rrufeshëm për kapjen e të dyshuarit. Ndërmarrja e këtij operacioni të shpejtë si dhe veprimet operativo- hetimore tejet të sofistikuara kanë rezultuar me kapjen dhe arrestimin e personit të dyshuar në ikje e sipër vetëm pak minuta pas ngjarjes”, ka thënë tutje Ahmeti.

Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarit me inicialety F. R, mashkull, 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet me bazë të jetë i implikuar në rastin e grabitjes në fjalë u krye në lagjen Dardania të Prishtinës përderisa i njëjti po përpiqej t’i shmangej ndjekjes së policisë.

Pas arrestimit policia ka gjetur dhe sekuestruar një revole të llojit dhe tipit të veçantë, si dhe një sasi të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet të jenë paratë e grabitura.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka deklaruar se aktualisht është duke vazhduar puna hetimore me qëllim ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit si dhe ndërlidhjen eventuale të këtij të dyshuari me raste të tjera kriminale./21Media

Back to top button