Hapen 4 degë bankare serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, shkak pagesat me dinarë

Banka e Kursimeve Postare e Serbisë i ka ngritur katër degë në afërsi të vendkalimeve kufitare Jarinjë, Bërnjak, Konçul dhe Merdar, ka njoftuar të hënën e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”.

Ngritja e këtyre degëve, sipas njoftimit, është me qëllim që të mundësohen pagesat me para të gatshme për klientët e saj nga Kosova, si dhe për të siguruar qasje sa më të afërt, arkë, ATM dhe shërbime të tjera bankare.

“Këto degë janë vendosur në lokacione sa më të afërta nga vendkalimet, duke qenë se një zgjidhje e tillë teknike është e vetmja e realizueshme në rrethanat që ndodhemi”, thuhet në njoftim.

Aty më tej është akuzuar kryeministri Albin Kurti për veprime të njëanshme dhe të paligjshme.

“Për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe të paligjshme të Albin Kurtit, i cili nga 1 shkurti i këtij viti ndaloi përdorimin e dinarëve dhe listës së pagave të Republikës së Serbisë në Kosovë dhe M., serbët nuk janë në gjendje të rrisin pagat, pensionet, socialet dhe të gjitha përfitimet tjera të paguara nga shteti i Serbisë, të cilat janë të nevojshme për jetën dhe punën e tyre”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se nga e hëna, degët e sapokrijuara të kësaj banke do të jenë në dispozicion të qytetarëve çdo ditë punë dhe të shtunën nga ora 09:00 deri në 17:00.

Back to top button