Haxhiu: Rreth 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës nuk mund të harrohen e as të falen

Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se bota duhet të flas më shumë për dhunimet që u janë shkaktuar popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Tutje, Haxhiu ka thënë se duhet zëshëm t’i kërkohet Serbisë që të dorëzojë kriminelët e luftës.

“Dhuna seksuale gjatë luftës, e përjetuar mbi trupat e grave dhe të burrave, është krimi më i rëndë dhe mizoria e cila ende nuk është dënuar e as nuk është vendosur drejtësi për këtë. Në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, bota duhet të flas edhe më shumë për dhunimet që u shkaktuan ndaj popullësisë civile gjatë luftës në Kosovë, e madje zëshëm duhet t’i kërkohet Serbisë t’i dorëzojë kriminelët e luftës që po mbahen në Serbi”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka theksuar se Serbia është adresa ku duhet drejtuar thirrja për drejtësi, nga bota demokratike që ka për bazë lirinë dhe të drejtat e njeriut.

“Rreth 20 mijë dhunime seksuale gjatë luftës nuk mund të harrohen e as të falen. Do të punojmë çdo ditë që kriminelët të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar Haxhiu në Faceook./21Media

Back to top button