India do të kalojë Kinën si vendi më i populluar në vitin 2023

India do të kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë në vitin 2023, me ç’rast secili numëron më shumë se 1.4 miliardë banorë këtë vit, u bë e ditur në një raport të Kombeve të Bashkuara të hënën dhe paralajmëroi se lindshmëria e lartë do të sfidonte rritjen ekonomike.
Popullsia e botës, që vlerësohet të arrijë në 8 miliardë deri më 15 nëntor të këtij viti, mund të rritet në 8.5 miliardë në vitin 2030 dhe 10.4 miliardë në vitin 2100, pasi ritmi i vdekshmërisë ngadalësohet, u bë e ditur në raportin e publikuar në Ditën Botërore të Popullsisë.
Popullsia e Indisë ishte 1.21 miliardë në vitin 2011, sipas regjistrimit të brendshëm, i cili kryhet një herë në dekadë. Qeveria kishte shtyrë regjistrimin e vitit 2021 për shkak të pandemisë Covid-19.
Popullsia e botës po rritej me ritmin e saj më të ngadaltë që nga viti 1950, duke rënë nën 1% në vitin 2020, treguan vlerësimet e OKB-së.
Në vitin 2021, lindshmëria mesatare e popullsisë së botës ka qenë 2.3 lindje për grua gjatë gjithë jetës, duke rënë nga rreth 5 lindje në vitin 1950. Fertiliteti global parashikohet të bjerë më tej në 2.1 lindje për grua deri në vitin 2050.
“Ky është një rast për të festuar diversitetin tonë, për të njohur njerëzimin tonë të përbashkët dhe për t’u mrekulluar me përparimet në shëndetësi që kanë zgjatur jetëgjatësinë dhe kanë ulur në mënyrë dramatike normat e vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.
Megjithatë, një popullsi në rritje ishte një kujtesë e një përgjegjësie të përbashkët për kujdesin për planetin dhe për të “reflektuar se ku ne ende nuk i përmbushim angazhimet tona ndaj njëri-tjetrit”, tha ai.
Duke iu referuar një raporti të mëparshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë – që vlerësonte rreth 14.9 milionë vdekje në lidhje me pandeminë Covid-19 midis janarit 2020 dhe dhjetorit 2021, raporti i OKB-së bëri të ditur se jetëgjatësia globale në lindje ka rënë në 71 vjet në 2021 nga 72.8 vjet në 2019, kryesisht për shkak të pandemisë.
Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se gjysma e rritjes së parashikuar të popullsisë globale deri në vitin 2050 do të përqendrohet në tetë vende – Republika Demokratike e Kongos, Egjipti, Etiopia, India, Nigeria, Pakistani, Filipinet dhe Tanzania, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Vendet e Afrikës Sub-Sahariane pritet të kontribuojnë në më shumë se gjysmën e rritjes së parashikuar deri në vitin 2050.
Megjithatë, popullsia e 61 vendeve parashikohet të ulet me 1% ose më shumë midis 2022 dhe 2050, e nxitur nga një rënie e lindshmërisë./21Media

Back to top button