Jahjaga: Viktimat shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit, e jo në konferenca

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar duke thënë se është e habitur që Konferenca Ndërkombëtare për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt (Preventing Sexual Violence in Conflict) i ka bërë ftesë dhe i ka dhënë platformë Ivica Daçiqit, zëdhënësit dhe bashkëpunëtorit të Slobodan Millosheviqit, përderisa viktimat e politikave të tij ishin të ulura në audiencë.
Jahjaga tha se Daçiq ishte pjesë e një regjimi politik e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare.
“A ishte ai atje për të pranuar krimet që Serbia i ka kryer në Ballkan dhe për të kërkuar falje për to, apo ishte prezent në cilësinë e ekspertit? Ivica Daçiq ishte pjesë e një regjimi politikë e të cilit ishte përdhunimi i grave kosovare. Kjo ftesë është në kundërshtim me punën e zellshme përgjatë një dekade që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka bërë për të ndihmuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që të tejkalojnë traumat e tyre dhe t’i japin fund këtij krimi të tmerrshëm”, ka reaguar ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Jahjaga ka kujtuar se Britania është lider global në përpjekjet për ta parandaluar #DhunënSeksualenëKonflikt, dhe “Kosova ka gjetur një shtet mik krahas të cilit kërkon drejtësi për të mbijetuarit”, duke thënë se gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2016, Lartmadhëria e Tij Mbreti Charles III, takoi të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Jahjaga u shpreh se viktimat e dhunës seksuale në konflikt shpresojnë që një ditë do të ballafaqohen me dhunuesit e tyre para një gjykatësi për të vënë drejtësi e jo në konferenca për të diskutuar parandalimin e përdhunimit në konflikt.
Gjatë ditës së djeshme edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvallla reagoi ashpër për pjesëmarrjen e Daçiqit në Konferencën për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Luftëra.
Deputetja britanike, Alicia Kearns e ka quajtur të gabuar ftesën e Daçiqit për këtë konferencë, të cilit madje i është drejtuar edhe në pseudonimin “Slloba i vogël”./21Media

Back to top button