Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka komentuar mungesën e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi në seancë gjyqësore, ku po akuzohet për korrupsion. Ajo tha se deputetët e LVV-së, tashmë janë në pushtet dhe janë mbi ligjin.

Deputetja Kadrijaj tha se me këto veprime, qeveria po dëshmon se nuk është qeverisje ndryshe.

“Të gjithë jemi për rend dhe ligj dhe askush nuk është mbi ligjin. Sot deputetja e LVV-së ka munguar në seancën gjyqësore, ku akuzohet për korrupsion, e për këtë seanca ka dështuar. Atëherë cila është arsyeja që kjo deputete nuk iu ka përgjigj thirrjes për me marrë pjesë në seancën gjyqësore. Pra, deputetët e LVV-së e injorojnë ligjin sepse tash janë në pushtet e janë mbi ligjin, kjo nuk është qeverisje ndryshe, po më keq sesa qeverisje. Kjo qeveri që është thirr për një qeveri me duar të pastra po del që është mashtrim sepse kemi ministra me aktakuza, po edhe shumë deputetë nga LVV që janë me aktakuza. Kopje e keqe e kësaj qeverie”, tha ajo.