Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se fakti që bashkëshorti i presidentes, Vjosa Osmani, Prindon Sadriu, u paraqit me veshje ushtarake gjatë monitorimit të FSK-së në stërvitjen “Defender Europe 2021” ka bërë shkelje të Kushtetutës.

“Çfarë grade mban Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes. Si rezervist që është ai, që e keni potencuar, është i obliguar të marrë pjesë në trajnime, kur është ftuar dhe sa trajnime ka marrë pjesë. A ka pas ftesë për pjesëmarrje në ceremoni e nga kush është ftuar, meqë presidentja e vendit është komandante supreme. Çfarë cilësie mori pjesë bashkëshorti i presidentes në uniformë. Pse e veshi uniformën nëse mori pjesë si bashkëshort i presidentes? Nëse mori pjesë si ushtarak, pse u pozicionua afër gjeneralit të FSK-së, kur nuk ia lejon grada? A është shkelje e protokollit ushtarak, shkelje e Kushtetutës, dhe nga presidentja keqpërdorim i pozitës zyrtare”, ka thënë Musliu në seancën e Kuvendit që është duke u mbajtur ende./21Media