KDI: Bojkoti i Kuvendit nga komunitetit serb e të tjerë cenon përfaqësimin qytetar

Instituti Demokratik i Kosovës, sot ka bërë të ditur se Bojkoti i Kuvendit nga deputetët e komunitetit serb dhe të tjerë cenon përfaqësimin qytetar.
KDI ka potencuar se mospjesëmarrja e deputetëve nga subjektet politike: Lista Serbe, Romani Iniciativa (RI), Partia Unike Gorane (JGP) dhe Partia IQ për liri, drejtësi dhe mbijetesë (GISPO), ka efekt zingjiror edhe në mosfunksionim e Komisionit parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, duke e lënë këtë organ pa kuorum dhe pa vendim-marrje
“Instituti Demokratik i Kosovës, si organizatë që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës tash e 17 vite, shpreh shqetësimin për mospjesëmarrjen e deputetëve nga subjektet politike Lista Serbe, Romani Iniciativa (RI), Partia Unike Gorane (JGP) dhe Partia IQ për liri, drejtësi dhe mbijetesë (GISPO), në punimet e Kuvendit për disa muaj me radhë. KDI e sheh ushtrimin e bojkotit parlamentar si mjet politik, megjithatë kjo formë e zgjedhur nga deputetët e subjekteve minoritare po cenon parimet demokratike, duke i privuar qytetarët nga komunitetet jo shumicë nga përfaqësimi i interesave të tyre në Kuvend. Për më tepër, mospjesëmarrja e deputetëve nga subjektet e lartpërmendura ka efekt zingjiror edhe në mosfunksionim e Komisionit parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, duke e lënë këtë organ pa kuorum dhe pa vendim-marrje”, është bërë e ditur në reagim.
KDI u ka rikujtuar subjekteve në fjalë dhe deputetëve të Kuvendit përgjegjësitë që rrjedhin nga Kushtetuta, Ligji mbi të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes, të cilat obligojnë pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit.
“Sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore në fuqi, deputetët, të zgjedhur përmes votës qytetare janë përfaqësues të Popullit dhe e kanë obligim që të marrin pjesë në seancat plenare dhe në trupat tjera të Kuvendit, në të cilat ata janë anëtarë. Andaj, KDI u bën thirrje deputetëve nga subjektet në fjalë, që sa më parë t’i kthehen ushtrimit të funksionit të plotë të tyre duke vënë në plan të parë përfaqësimin e interesave të qytetarëve dhe llogaridhënien para zgjedhësve të tyre”, ka bërë të ditur tutje KDI.

Back to top button