Arrihet ujdi për zbritjen e çmimeve të produkteve për stafin ushtarak

Oda Ekonomike e Kosovës njofton se me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së, Lulzim Rafuna në emër të OEK-ut dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, duke bërë kështu OEK-un pjesë të iniciativës që ka për qëllim bashkëpunimin me biznese, për zbritjet që do të ofrohen në produktet dhe artikujt e tyre për stafin ushtarak.
“Me këtë rast, ministri Mehaj dhe kryetari i OEK-ut, ishin të qëndrimit se të qenit institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend është përgjegjësi e madhe, që kërkon sakrificë e përkushtim, vlera këto që personifikojnë çdo ushtar të Republikës, puna e të cilëve nuk kufizohet në korniza, por reflekton për gatishmërinë me të cilën secili prej tyre i përgjigjet detyrës”, thuhet në njoftimin e OEK.
Me këtë rast kryetari Rafuna është shprehur mirënjohës për gatishmërinë e bizneseve që të bashkëpunojnë në këtë drejtim, dhe u shpreh i gatshëm për bashkëpunim edhe në projekte të tjera të përbashkëta.
Ndërsa, ministri Mehaj theksoi gjithashtu se u janë mirënjohës të gjitha shoqatave dhe bizneseve që pa asnjë hezitim u bënë palë në përpjekjet e tyre që ushtarakët të trajtohen me respekt dhe dinjitet, ashtu siç edhe e meritojnë.

Back to top button