KEK-u thotë se gjatë dimrit prodhimi vendor do të jetë në nivel

Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Përparim Kabashi, është zotuar se gjatë dimrit furnizimi me rrymë nga prodhimi vendor do të jetë në nivel, këtë Kabashi e tha gjatë një vizite të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Sipas njoftimit, Kabashi ka njoftuar Rizvanollin për gjendjen aktuale, të arriturat dhe sfidat e proceset nëpër të cilat po kalon KEK-u, “me theks të veçantë për implementimin me sukses të projekteve kapitale, si ai i Dilatimeve në Kaldatë e njësive B1 dhe B2 që njëherësh kanë qenë parakusht për implementimin e projektit të Elektro-Filtrave dhe pajisjeve për zvogëlimin e DeNOx-it, si dhe projekti i ndërrimit të zbarrave të Gjeneratorit në njësinë B1 i cili gjithashtu ka përfunduar me sukses”.

KEK-u ka thënë se në dy njësitë e termocentralit Kosova B janë kryer edhe një sërë riparimesh të tjera, “të cilat ishin planifikuar gjatë remonteve të rregullta vjetore të cilat kanë ndikuar në ngritjen e sigurisë se operimit”.

Kabashi ka thënë se remontet dhe revizionet e rregullta vjetore janë realizuar me sukses edhe në njësitë A3 dhe A5 të termocentralit Kosova A, ndërsa në njësinë A4 është duke u realizuar remonti i rregullt vjetor “konform dinamikës së planifikuar dhe pritet të rikthehet në operim në fillim të muajit dhjetor”.
Back to top button