Konfirmohet ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë

 
Jeffrey Hovenier do të jetë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Se Hovenier do të jetë ambasador i ri i ShBA-së në Kosovë e ka konfirmuar Senati amerikan, meqë për ta marrë detyrën ka qenë i nevojshëm konfirmimi i Senatit.
Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.
Jeffrey Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë , Philip Kosnett, mandati i të cilit përfundon në fund të vitit.
Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.
Kush është Jeffrey M. Hovenier?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden e emëroi në korrik diplomatin Hovenier për postin e ambasadorit të Kosovës.
Ai është një diplomat karriere në Departamentin e Shtetit, i cili së fundmi ka shërbyer si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.
Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.
Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.
Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru, në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në ekipin e të Dërguarit të Posaçëm të OKB për statusin politik, Martti Ahtisaari.
Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Gjatë ceremonisë për dhënien e medaljes, Presidenti Thaçi e falënderoi diplomatin amerikan “për kontributin në Konferencën e Rambujesë, në procesin e Vjenës dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës”.

Back to top button