Konjufca: Qeverisja e mirë do të rikthehet shpejt

 

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, sonte është shprehur se “qeverisja e mirë do të rikthehet shpejt”. Konjufca ka hedhur akuza ndaj qeverisë Hoti për menaxhimin e pandemisë.

Konjufca përmes një shkrimi në facebook ka theksuar se LDK-ja bashkë me PDK-në, mendjen nuk e kishin te virusi, por sipas tij te rrëzimi i qeverisë Kurti.

“Ditën që i patëm 19 raste me COVID 19 Agim Veliu në koordinim me Thaçin propozoi gjendje të jashtëzakonshme. E me 219 raste gjendja iu duket e zakonshme. Kjo tregon se së bashku me PDK-në ata nuk e kishin mendjen te virusi, por te rrëzimi i Qeverisë Kurti.LDK-ja e Isa Mustafës bëri aleancë me ata që gjatë zgjedhjeve ishin “hajnat e pushtetit”, për ta hequr nga qeverisja e mirë fituesin e zgjedhjeve. Nuk është e rastit, pra, që ka degraduar çdo gjë”, ka shkruar ndër të tjera Konjufca në facebook.

Sipas tij, qytetarët mezi po presin që shtetit tonë t’ia rikthejnë qeverisjen e mirë, “e cila filloi në shkurt por u ndërpre në mars”. “Kur fitorja është në zemrat dhe mendjet e njerëzve, ajo bëhet e pashmangshme.”, ka shtuar më tutje Konjufca./21Media

Back to top button