Konkursi në KEK, reagon Agjencia Kundër Korrupsionit

Agjencia Kundër Korrupsionit thotë se gjatë ditë së djeshme, nga monitorimi i mediave është informuar me pretendimet që ka pasur parregullsi në procesin e fundit të rekrutimit në Korporatën Energjetike të Kosovës.
AKK-ja thotë se ka pranuar edhe telefonata dhe interesime të individëve të ndryshëm në lidhje me rolin që mund të ketë agjencia në trajtimin e këtyre pretendimeve.
“Rrjedhimisht, në lidhje me këtë temë, AKK, njofton se zhvillimi i procedurave hetimore administrative në AKK mund të iniciohen edhe sipas detyrës zyrtare, kërkesave dhe denoncimeve nga palët me interes, pra edhe në rastet kur AKK informohet nga mediat. Zhvillimi i procedurave hetimore administrative pushojnë në rastet kur për temën e njëjtë zhvillohen hetime penale, nga Policia e Kosovës apo Prokuroria. AKK është institucion kompetent për trajtimin e rasteve të pretenduara për konflikt te interesit sipas ligjin nr. 06/L-011”, thuhet në njoftim.
Më 5 prill 2022, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka iniciuar hetime për të njëjtin rast. Andaj AKK-ja thekson se nuk mund të ndërmarr procedura hetimore administrative që për njëjtin rast janë iniciuar hetime nga Prokuroria.
Ndërsa, në lidhje me pretendimet për konflikt të mundshëm të interesit në këtë proces, AKK-ja bëri të ditur se ka filluar mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim te interesit në kuadër te KEK-ut.
“Procedura për shqyrtimin e konfliktit te interesit është konfidenciale”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button