Krasniqi: Drejtësia do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë

Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar me gjak e sakrificë dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, përballë një agresori pushtues e të pamëshirshëm, i cili ka provuar ta zhbëj identitetin dhe ekzistencën tonë.
Kështu tha në reagimin e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dënimit të dy ish-krerëve të OVL-së së UÇK-së sot nga Gjykata Speciale.
“Kjo është e vërteta mbi të cilën na ka mbështetur qytetërimi perëndimor dhe bota demokratike dhe pjesë e kësaj të vërtete janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet e as nuk bën të harrohet”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Në rrethana e krijuara sot, pas dënimit të tyre nga Gjykata Speciale, Krasniqi tha se bashkëndjen me familjet Gucati e Haradinaj.
“Drejtësisë i kemi besuar dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, shkroi tutje Krasniqi.
Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë sot Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 euro./21Media

Back to top button