Krasniqi e Musliu flasin për tentim atentatin ndaj tyre: Nuk jemi të frikësuar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka konfirmuar se është njoftuar nga Policia e Kosovës për kërcënimet për tentim atentat ndaj tij dhe deputetes së këtij subjekti politik, Ganimete Musliu.
Lideri opozitar tha se nuk janë të frikësuar dhe i besojnë organeve të sigurisë të Kosovës.
“Unë mund t’iu konfirmoj që jemi kontaktuar prej Policisë së Kosovës, jemi njoftuar që me të njëjtin rast tashmë të bërë publik nga deputetët e LDK-së, kanë qenë të përfshirë emri im dhe emri i deputetes Musliu. Jemi njoftuar për masa që ata janë duke i marrë për sa i përket kësaj çështje dhe do të jemi në komunikim të mëtejmë. Nuk ka nevojë me qenë të frikësuar, jemi në shtetin tonë, jemi në vendin tonë. Institucionet tona të sigurisë e vazhdojmë punës sikur deri më tash”, tha ai.
Bashkë me të ishte edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila po ashtu u shpreh se ka besim të plotë tek organet e drejtësisë dhe shprehur gaditshmërinë për të ofruar çdo informacion që kërkohet nga ajo.
Përndryshe, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se cak i një atentati të mundshëm ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetë të tjerë të LDK-së, Avduallah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.
Një grup shqiptarësh që jetojnë jashtë Kosovës kishin rënë në përgjimin e policisë gjermane, teksa kanë qenë duke folur për realizimin e disa vrasjeve politike në Kosovë. Organizatori i atentatit është raportuar se në shënjestër kishte edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe deputeten e kësaj partie Ganimete Musliu.

Back to top button