Krasniqi tregon arsyen se pse nuk po marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti për mungesë të guximit për ushtrimin e kompetencave të tij lidhur me moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Krasniqi është shprehur se qëndrimi i Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë është i drejtë, dhe PDK dhe partitë e tjera opozitare janë në linjë me qëndrimin e Qeverisë.
Sipas tij, kryeministri Kurti nuk ka pse të fshihet prapa seancës së Kuvendit.
“Andaj, çfarë arsye ka që të mblidhet Kuvendi për të diskutuar më shumë për këtë temë? Për t’ia rishprehur këto qëndrime njëri-tjetrit? Apo për të gjuajtur përgjegjësinë nga Qeveria te Kuvendi? Nëse ky është qëllimi, atëherë kryeministri po frikësohet. Sepse, kompetenca dhe autoriteti është i Qeverisë për të vendosur moslejimin e referendumit dhe për ta zbatuar atë vendim. Pse pra kërkon Kryeministri seancë, nëse ligjërisht kjo është e panevojshme?”, shkruan Krasniqi.
Krasniqi theksoi se referendumi i Serbisë në Kosovë do të ishte antikushtetues dhe si i tillë është i papranueshëm dhe nuk duhet lejuar, por Kushtetutën e ruajnë instrumentet e pushtetit ekzekutiv e jo rezolutat e Kuvendit, që nuk janë obliguese as për Qeverinë.
”Prandaj, PDK sot nuk merr pjesë në seancë, sepse nuk duam që të bëhemi pjesë e ikjes së Kryeminstrit nga përgjegjësia e tij ligjore e kushtetuese e as pjesë e shout të tij politik të paramenduar. Krejt çka duhet të bëjë Kryeministri është që të mos tërhiqet nga qëndrimi i tij dhe të sigurojë zbatimin e vendimit për të mos lejuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai për këto veprime e ka mbështetjen edhe të partive opozitare, andaj nuk ka nevojë të fshihet pas seancës së sotme të Kuvendit”, ka thënë Memli./21Media

Back to top button