Kritika për shkarkime politike e mungesë të strategjisë, MPJD: Vendosëm ligjshmërinë

Ministria e Punëve të Jashtme vitin e kaluar është akuzuar se po bënë fushatë politike të shkarkimeve. Ky dikaster gjithashtu është kritikuar për mungesë të strategjisë si dhe pak rezultate në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Por, sipas zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, nuk ka pasur shkarkime por vendosje të ligjshmërisë. Madje, ai thotë se veprimet e ministrisë gjatë vitit të kaluar kanë ndikuar pozitivisht në imazhin e Kosovës.
Deputetja e Komisionit për Punë të Jashtme, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj thotë se puna e Ministrisë së Jashtme ka funksionuar pa strategji.
“Pa strategji, qeveria në fakt veç e ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare me skandale të njëpasnjëshme, që kanë buruar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ta nisim me skandalin e shkarkimit të menjëhershëm të mbi 15 apo 16 ambasadorëve që vendet kyçe kanë ngelur pa ambasadorë në periudhat kur në Kosovë kishte kriza të ndryshme, janë ambasadorë që përcjellin politikat e shtetit të Kosovës dhe që lobojnë tek ato vende për të treguar se cili është realiteti”, thotë ajo.
Kritika për mungesë të rezultateve drejton edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Arben Fetoshi.
Sipas tij, gafat dhe skandalet kanë qenë kryefjalë e këtij dikasteri që gjatë vitit 2022 nuk pati ndonjë rezultat të prekshëm.
“Rezultatet kanë munguar, për fat të keq Ministria e Punëve të Jashtme është karakterizuar jo vetëm me gafa por edhe me skandale, ajo ë besoj që do të mbahet mend është një fushatë politike e shkarkimeve që mendoj që padyshim lë shije të keqe jo vetëm për opinionin publik por edhe funksionimin e shërbimit tonë diplomatik. Në anën tjetër sa i përket aktiviteteve mendoj që nuk kemi pasur ndonjë rezultat të prekshëm në kuptim të marrëdhënieve tona ndërkombëtare sepse nuk ka pasur njohje të reja sepse pavarësisht aplikimeve në Këshillin e Evropës dhe së fundmi për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian nuk kemi rezultate të cilat do të na bënin optimistë për epilogun e aplikimeve”, thotë Fetoshi.
Por, ndryshe shprehet zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i cili thotë se kanë vendosur ligjshmëri me lirimin nga detyra të disa diplomatëve.
“Ne nuk kemi bërë asnjë shkarkim, ne kemi vendosur ligjshmëri në sistemin tonë, këtu ka pasur konkurse në të kaluarën të cilat nuk janë mbyllur asnjëherë që ligjërisht nënkupton që ato kanë dështuar pas një periudhe të caktuar pas tre katër muajve, por në emër të së cilave konkurse pas një apo dy vite janë punësuar njerëz kështu si nga tavolina suedeze kënd kanë dashur. Nuk mund të kemi një diplomaci që përfaqëson shtetin numër një për sundimin e ligjit në rajon me diplomatë të cilët nuk janë ligjshëm të punësuar, dhe vendosja e ligjshmërisë ka bërë që ata persona të lirohen, pra nuk ka pasur shkarkime”, thotë Ahmeti.
Ahmeti thotë se të gjitha vendimet kanë qenë të ligjshme dhe se të njëjtat nuk kanë të bëjnë me parti politike.
“Ka ndikuar jashtëzakonisht mirë sepse kur ke diplomatë të cilët janë të ligjshëm përparësia e tyre është që nuk e kanë barrën e kësaj çështje, duhet të them që në mesatar cilësia e diplomatëve dhe emërimeve të cilat janë bërë, qoftë nga diplomatët e karrierës, qoftë nga ambasadorët nga çelësi politik që parashihet ligjërisht, cilësia është më e lartë se që e kishim më herët, dhe kjo punë po shihet. Republika e Kosovës ka hapur disa fronte diplomatike, qoftë në multilaterale, qoftë në bilaterale dhe në të gjitha kemi progres, dhe besoj që imazhi i Kosovës në botë ka ndryshuar jashtëzakonisht për të mirë”, shton Ahmeti.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla që prej marrjes së mandatit ka nxjerrë disa vendime përmes së cilëve ka shkarkuar zyrtarë të shërbimit të jashtëm me arsyetimin se po vendosë ligjshmëri në administruarën publike dhe se po anulon vendime të jashtëligjshme./kp

Back to top button