Kurti-Përfaqësuesve serbë: Mos i braktisni institucionet, mos bini pre e manipulimeve politike

Kurti-Përfaqësuesve serbë: Mos i braktisni institucionet, mos bini pre e manipulimeve politike

Kryeministri Albin Kurti, sot reagoi pasi përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Kosovës vendosën të lënë detyrat. Kurti i ftoi të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë.
Ai theksoi se prioritet i tij janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje.
Kryeministri i ftoi përfaqësuesit serbë të mos bojkotojnë ose braktisin institucionet e Kosovës. “Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik.”, shkroi Kurti ndër të tjera në Fcaebook.
Përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës./21Media

Back to top button