Kuvendi ratifikon Marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën

(Lajm i përditësuar)
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës janë ratifikuar tri marrëveshje të Procesit të Berlinit.
Bëhet fjalë për marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën.
Kuvendi këtë marrëveshje e ratifikoi me 82 vota për, asnjë votë, asnjë kundër. Kuvendi Kosovës ratifikoi edhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor me 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetët ratifikuan edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore me 84 vota për.
Kurti thotë se në propozimin franko-gjerman s’përfshihen kërkesa të palëve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është përballur me disa pyetje nga deputetë të opozitës lidhur me bisedimet në Bruksel me palën serbe dhe planin franko-gjerman.
Kur iu është kërkuar t’i tregojë “temat që do t’i negociojë të hënën” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin, Kurti ka thënë se e ruan konfidencialitetin për të cilin është pajtuar me ndërmjetësit.

Kurti ka thënë se propozimi franko-gjerman nuk është produkt i përfshirjes së kërkesave të palëve por përfshirje e historisë së dialogut.

Kurti u pyet nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, për statusin e Kishës Ortodokse nëse është pikë e veçantë në planin franko gjerman.
Kurti është përgjigjur se në propozim nuk ka asgjë të veçantë historikisht të gabueshme dhe nëse do të kishte, ai është shprehur se nuk do ta pranonte kurrë.

Kurti tregon se kur fillon projekti për 4,000 banesat për çiftet e reja
Në seancën e sotme të Kuvendit, kryeministri i Kosovës Albin Kurti është pyetur lidhur me 4,000 banesat e premtuara për çiftet e reja.
Kurti ka thënë se projekti për banim të përballueshëm është unik dhe krejtësisht i ndryshëm prej banesave për raste sociale që veçse ekzistojnë në Kosovë. Ai tregoi se është miratuar kredia prej 25 milionë euro nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës dhe shpejt pritet të vjen në Kuvend si projektligj dhe marrëveshje.

Kurti ka thënë se projekti “do të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2023”, duke shtuar se varen nga komunat për dhënien e tokës komunale në shfrytëzim për banesat. Deri tash, janë siguruar lokacione në Prishtinë, Pejë dhe Gjilan, ka deklaruar ai.
Haxhiu i reagon Berishës: Juve ua kisha ndalu me ligj me fol për Astrit Deharin
Fjalimin e deputetit të PDK-së, Hisen Berisha e ka kundërshtuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetët e Vetëvendosjes të cilët në shenjë revolte kanë shkaktuar zhurmë nga ulëset e tyre.
“Juve ua kisha ndalu me ligj me fol për Astrit Deharin, Ju keni qenë në qeveri kur është vrarë astrit Dehari, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha. Ju i keni duart e përlyera me gjak, ju. Duhesh me pas pak fytyrë, marre. Në kohën e juaj është vrarë Astrit Dehari”, ka thënë ajo.

Konjufca i reagon Berishës: E ftoj prokurorin me ju intervistu nëse dini diçka më shumë për rastin Dehari
Pas deklaratës së deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, i cili në foltoren e Kuvendit tha se interesi i VV-së është që rasti Dehari të mos ndriçohet, reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Konjufca i tha Berishës se nëse ka informacione më shumë lidhur me këtë rast, do ta ftonte prokurorin për ta intervistuar.
“Edhe ju e dini fort mirë që përpjekja me lidhë VV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapapvijë politike dhe personat…Ka një vendim gjykate që i ka liruar ata persona prej kësaj akuze. Nëse dini më shumë e kisha ftuar prokurorin me ju intervistu, gjithçka që dini e që pretendoni për lidhjen e Vetëvendosjes me këtë akt terrorist, unë e ftoj prokurorin që të të intervistojë. Nëse di diçka”, tha Konjufca.
Deputeti i PDK-së: Interesi i VV-së është që rasti Dehari të mos ndriçohet
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka për interes të mos e zbardhë rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari, që më 2016 u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit.
Në seancën e sotme të kuvendit, Berisha ka thënë se Vetëvendosje e ka përdorur rastin e Deharit për përfitime politike.

“As pas ekspertizës së institucioneve zvicerane s’ka epilog, vendim gjyqësor, gjë që vë në dyshim se ka ndërhyrje direkte të politikës dhe Qeverisë në zbardhjen e këtyre rasteve. Duhet ta themi troç se interesi i politikës, partisë në pushtet, Qeverisë, është që ky rast të mos zbardhet. Kjo Qeveri ka vetëm një qëllim që të kapë drejtësinë përmes këtij rasti dhe rasteve tjera prandaj që nga viti 2019 s’po zbardhet që kur VV-ja erdhi në pushtet dhe ka pushtetin absolut. Njëjtë pres të ndodhë siç ka ndodhur me rastet e vrasjes së pasluftës”, ka thënë Berisha duke vazhduar me akuza të rënda.

Ai ka thënë se janë dy “parakushte” për ta zbardhur rastin. Ka ndërlidhur këtu edhe rastin e vetëvrasjes së Astrit Deharit, Arbnorit. Ka aluduar se “nëse zbardhet rasti i sulmit në objektet e institucioneve do të ishte tërmet për VV-në”.

Hoti kërkon debat për dialogun para takimit të së hënës
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi të informohet nga kryeministri Albin Kurti për procesin e dialogut me Serbinë, para takimit të paraparë për të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Intervenimi im sot lidhet me debatin qe kishim për dialog i cili nuk ka përfunduar sepse kryeministri u largua nga seanca. Të hënën është takimi në Bruksel dhe duhet të dimë se çfarë do të diskutohet atje. Ne i kemi pasur disa pyetje… Besoj që është obligim kushtetues të informohet Kuvendi dhe besoj që duhet të bëhet debat para takimit të së hënës”, ka thënë ai.
Haradinaj i kërkon Kurtit që të hënën ta mbyllë marrëveshjen me Serbinë
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova me pranimin e planit franko-gjerman i ndal qëllimet ruse në Ballkan për destabilizim.
Haradinaj i ka kërkuar kryeministrit Kurti që të hënën ta mbyllë marrëveshjen me Serbinë.
Ai thotë se përpos atij politik e të sigurisë, Kosova duhet të kërkojë që brenda të jetë edhe komponenta financiare.
Tahiri: Kjo qeveria ka braktisur qytetarët
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se qeveria Kurti i ka braktisur qytetarët. Sipas tij, qeveria duhet të marrë hapa urgjent për të ulur pasigurinë sociale paralelisht me rritjen e të hyrave në ekonominë familjare.
Në seancën e Kuvendit, Tahiri ka thënë se qeveria duhet të angazhohet për të ulur numrin e të rinjve që lëshojnë Kosovën duke rritur vendet e punës dhe të ardhurave mujore.
“Dy vitet e fundit kemi lexuar shifra tmerruese të largimit të qytetarëve tanë nga Kosova. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës gjatë vitit 2021 është vlerësuar që kanë lënë vendin tonë dhe kanë emigruar legalisht e ilegalisht nga vendi ynë është rreth 42 mijë e 728 qytetarë. Ndërsa në vitin 2022 sipas raportimeve që kemi parë nga mediat, vetëm më viza pune janë pajisur rreth 42 mijë qytetarë, pra ende nuk e dimë numrin e saktë te qytetarëve në total të vitit 2022 që kanë lënë Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka thënë se qeveria është duke krijuar një ambient për ikjen e qytetarëve nga vendi.
“Kjo qeveri ka braktisur qytetarët mirë ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë dhe të pajtohemi me një gjë të tillë, dhe jemi këtu për t’ia kujtuar kryeministrit Kurti që në Kosovë ka edhe jetë, ka edhe angazhim tjetër përtej angazhimit të tij në dialog. Qytetarët që zgjohen në mëngjesin nuk e kanë dertin se a e takon kryeministri Kurti Vuçiqin a nuk e takon, e a bën marrëveshjen e nuk e bën, qytetarët e kanë hallin që t’i përmbushin obligimet e tyre ditore, javore, e mujore prej të ushqyerit deri të veshmbathja e shkollimi i fëmijëve të tyre, e që fatkeqësisht nuk po ja dalin”, ka thënë Tahiri.
​Kuvendi nis seancën në nderim të viktimave në Ukrainë
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për viktimat që humbën jetën në Ukrainë.
Ky nderim sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca po bëhet në njëvjetorin e agresionit rus mbi Ukrainën, ku janë vrarë me mijëra persona.
Kuvendi sot shqyrton tri marrëveshje të Procesit të Berlinit
Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare prej orës 10:00, ku pritet të shqyrtohen tri marrëveshje të Procesit të Berlinit.
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, ishin nënshkruar nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit.
Deputetët po ashtu do të shqyrtojnë edhe Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës
Rendi i ditës për seancën e sotme:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
4. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-215 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-216 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor,
7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-217 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore,
8. Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës,
9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-208 për parqet industriale dhe teknologjike,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-209 për investime të qëndrueshme,
11. Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë nr. 04/112, dt. 13.12.2022 për miratimin e rekomandimit të Komisionit Ndërministror për Investime Strategjike për dhënien e statusit Investitor Strategjik për subjektin investues “Moxico Luma Kosova Mining L.L.C.”,
12. Shqyrtimi i Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”,
13. Shqyrtimi i Propozimit të GP “Multietnik” për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bekim Arifi.

Back to top button