LDK i kërkon Qeverisë që menjëherë të nisë dialogun dhe të procedojë sa më parë Ligjin për Paga

Lidhja Demokratike e Kosovës sonte i ka kërkuar Qeverisë që të nisë dialogun me sindikalistët si dhe të procedojë sa më parë Ligjin për Paga.
LDK i ka bërë thirrje edhe njëherë Qeverisë që të ulet dhe të nisë dialogun social me të gjithë sindikalistët dhe “jo të komunikojë në distancë përmes deklaratave të shkurta që në këtë kohë krize përveç se janë ofendim, është edhe gabim dhe thellon edhe më tutje krizën që po përballemi sot.”
“Qeveria duhet të dëgjoj e pranoj kërksat e tyre që procesi të filloj menjëherë, nxënësit tanë të kthehen në bankat e shkollës e mësimdhënësve tanë t’u kthehet dinjiteti. LDK gjithashtu kërkon që në seancën e parë në Kuvendin e Kosovës, të procedohet Ligji për Pagat, i njëjti të diskutohet pasi që ende nuk e kemi marrë zyrtarisht si dhe pas të gjitha komenteve, të hyjë në fuqi për zbatim nga janari i vitit 2023, për të mbështetur qytetarët tanë në këtë kohë krize të rëndë ekonomike.”, është bërë e ditur në komunikatën e LDK-së.
Greva e nisur në fund të muajit gusht e punëtorëve të sektorit publik ka hyrë në javën e dytë. Pjesa më e madhe e shkollave në gjithë Kosovën nuk janë hapur, kurse një numër i vogël i shkollave në kryeqytet kanë nisur procesin mësimor. Mësimi është zhvilluar edhe në disa shkolla në Podujevë, ku ka qëndruar edhe kryeministri Kurti. Njohës të arsimit në Kosovë kanë bërë thirrje për hapje të dialogut social me Sindikatën e Arsimit për të gjetur zgjidhje./21Media

Back to top button