Lista Serbe: Të dyshuarin për djegien e veturave në veri e rrëmbyen njësitet e Kurtit

Lista Serbe ka paralajmëruar kryengritje nëse nuk lirohet i arrestuari për djegie veturash.

Përmes një njoftimi në Facebook, Lista Serbe ka thënë se M.B. “është kidnapuar nga forcat speciale të Albin Kurtit”.

“Pasi që mblodhëm të dhëna rreth rrëmbimit të sotëm të një serbi nga ana e njësiteve speciale të Kurtit, duam të njoftojmë se populli serb e paralajmëron Prishtinën që në rast të moslirimit të të arrestuarit në mënyrë të pabazë, të cilin sot e rrëmbyen njësitet e Kurtit në veri të Kosovës dhe nëse nuk ndalohet me maltretimin e popullit serb, atëherë do të shkaktojë reagimin e të gjithë serbëve. Të bëjmë të qartë, ky nuk do të jetë ndonjëfarë paralajmërimi porse ngritje e përgjithshme për ndalimin e represionit të Albin Kurtit mbi qytetarët e pafajshëm”, thuhet në reagim të Listës Serbe.

Ditëve të fundit janë raportuar disa djegie të veturave në katër komunat veriore, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit, ku Lista Serbe ka vendosur të mos marrë pjesë. Ka pasur reagime ndërkombëtare që kanë dënuar këto veprime në veri./21Media
Back to top button