Mbi një milion euro për komunën e Shtimes
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me zv.ministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimshi, për investime në disa projekte të reja infrastrukturore.
Në një postim në Facebook Aliu ka thënë se me këtë bashkëpunim Shtimja fiton mbi një milion euro.
“Qëllimi i këtij memorandumi është realizimi i tri projekteve të rëndësishme infrastrukturore në Shtime, me vlerë totale 1.064.534 euro. Unaza Vogël e Qytetit, në shumën 382.542 euro. Rruga “17 shkurti”, në shumën 581.992 euro dhe Sheshi i Qytetit, në bashkëfinancim në shumën 100.000 euro”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, këto projekte përveç se do të kontribuojnë në lehtësimin dhe qarkullimin e lëvizjes, gjithashtu qytetit do t’i japin një pamje urbane moderne./21Media