Memli Krasniqi zyrtarizon vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur të jetë shtëpi për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë, tha kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi
Në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës. Ai u zotua se do të arrijë përfaqësimin e barabartë deri në vitin 2025.
“50 për qind …….. Nuk do të presim 3 vjet për ta realizuar këtë objektiv fisnik atëherë përnjëherë, por do të fillojmë që tani, me hapa që e ngrisin jo vetëm përqindjen e përfaqësimit si numër, por edhe cilësinë dhe meritokracinë“, tha Krasniqi.
“Në zgjedhje lokale, aty ku kandidati për kryetare ose kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër. Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30 %, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar. Qeveria e udhëhequr nga PDK, në të ardhmen, do ta reflektojë barazinë e plotë gjinore. Kjo do të bëhet normë edhe për qeveritë lokale, ku tashmë kemi dhënë dëshmi e shembuj në disa komuna”, deklaroi ndër tjera Krasniqi.
Nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku, tha se në këtë parti nuk ekziston një tavolinë për burra dhe një tjetër për gra.
“PDK ka pasur dhe ka guxim. PDK ka pasur dhe ka guxim të ndërtoj historinë dhe të projektoj të ardhmen. Në PDK nuk ekziston një tavolinë për burra dhe një tavolinë për gra. Dhe, ne, vetëm bashkë, në një tavolinë, mund të marrim vendime të drejta të cilat do ta çojnë Kosovën në shekullin e ri”, tha Çitaku.
Drejtoresha e Institutit Demokratik Kombëtar, Nancy Soderberg, përshëndeti vizionin e ri të PDK-së, duke thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme barazia gjinore në vendimmarrje.
“Gratë dhe burrat duhet të bëjnë më shumë për të fuqizuar gruan. Nuk duhet të jetë 30 për qind, as 40 për qind, por 50 me 50 për qind. Prandaj, edhe motoja juaj, “Bashkë! 50 me 50” është kaq e rëndësishme sepse po vëni një standard të ri për të gjithë në Kosovë”, deklaroi Nancy Soderberg.
Sipas PDK-së, Gruaja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbetet në lëvozhgën e saj, por duhet të zgjerohet organizimi, potenciali dhe rëndësia e saj, për t’u bërë jo vetëm pjesë e pandashme organike e partisë, por për të krijuar udhëheqje dhe vendimmarrje./21Media
 
 

Back to top button