Merkel thotë se dëshironte bisedime Ukrainë-Rusi, por i mungonte autoriteti
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se donte të krijonte një format evropian për bisedimet që përfshin presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin rus, Vladimir Putin në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës përpara se të largohej nga detyra vitin e kaluar, por tha se i mungonte autoriteti.
“Unë nuk kisha më autoritetin për ta shtyrë atë, sepse të gjithë e dinin në fund të fundit: se do të largohesha në vjeshtë”, citohet të ketë thënë Merkel në revistën gjermane “Der Spiegel” të botuar të enjten, duke mbrojtur politikën e saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës.
Ish-kancelarja kishte thënë për një kohë të gjatë se do të largohej nga posti pas zgjedhjeve kombëtare të shtatorit 2021 në Gjermani. Merkel u largua zyrtarisht nga detyra në dhjetor 2021.
Në gusht të atij viti, ajo udhëtoi në Moskë në vizitën e saj të fundit zyrtare. Duke përshkruar takimin mes saj dhe presidentit rus, Merkel i tha Der Spiegel “Ndjenja ishte plotësisht e qartë. Për sa i përket politikës së pushtetit, ju keni mbaruar. Për Putinin ka rëndësi vetëm pushteti”.
Merkel inicioi Formatin e Normandisë, i cili u krijua në vitin 2014 midis Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës pas aneksimit rus të Krimesë dhe inkursionit të saj në Ukrainën lindore në shkurt të vitit 2014.
“Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, ne provuam gjithçka për të parandaluar inkursionet e mëtejshme të Rusisë në Ukrainë dhe koordinuam sanksionet tona në detaje”, tha Merkel.
“Do të kisha dashur të kisha kaluar një kohë më të qetë pasi u largova, sepse isha shumë e përfshirë me Ukrainën”, citohet Merkel në intervistë.
Që kur Merkel u largua nga detyra, ajo dhe qeveria e saj e vjetër janë vënë nën kritika për lejimin e vendit që të bëhet shumë i varur nga nafta dhe gazi rus./21Media