Mes viktimave në Kanalin Anglez një grua shtatzënë dhe tre fëmijë

Zyrtarët francezë thonë se nga 27 personat që dihet se janë mbytur, 17 ishin burra, shtatë ishin gra – njëra prej të cilave ishte shtatzënë dhe tre ishin fëmijë.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin kishte thënë më herët se anija kishte 34 persona në bord.
Dy persona u shpëtuan dhe ndodhen në gjendje kritike në një spital francez. Njëri prej tyre është nga Iraku, tjetri është somalez, transmeton rtv21.tv.
Mediat franceze raportojnë se të vdekurit besohet të jenë kurdë irakianë dhe iranianë.
Migrantët kanë vdekur pas fundosjes së barkës së tyre prej gome, duke shënuar tragjedinë më vdekjeprurëse prej kur Kanali është bërë rrugë për migrantët.
Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, 31,500 persona kanë tentuar të kalojnë Kanalin drejt Britanisë prej fillimit të vitit dhe 7,800 persona janë shpëtuar në det.
Sipas autoriteteve britanike, më shumë se 25,000 persona kanë arritur ilegalisht këtë vit në Britani, shifër tri herë më e lartë sesa më 2020./21Media 

Back to top button