Ministria e administrimit lokal sqarohet pas dështimit të ”Sunny Hill” në Prishtinë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dhënë një sqarim për dështimin e Festivalit ”Sunny Hill”.
Në njoftim thuhet se kjo ministri nga momenti i parë i ka trajtuar me kujds maksimal vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu sipas MAPL-së, ata nuk e kanë anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.
”Nisur nga fakti se institucionet lokale janë konstatuar me vonesë për shkak të procesit zgjedhor, MAPL në fillim të këtij viti ju ka mundësuar të gjitha komunave, përfshirë këtu edhe Prishtinën, shpalljen e listës së pronave që do të jepnin në shfrytëzim deri me 31 mars 2022. Në anën tjetër, vendimi për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për “The Sunny Hill”, me procedurat e negocimit të Kryetarit të Komunës, është aprovuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës me 10.05.2022, ndërsa për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministri është pranuar me datë 16.05.2022”, thuhet në njoftim.
MAPL shtoi se lënda nuk ka qenë e kompletuar, dhe kjo ministri në përputhje me kompetancat sipas ligjit për vetëqeverisje lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore.
”Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë:
a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit;
b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button