Ministria e Infrastrukturës e akuzon PDK-në për shpifje, paralajmëron padi

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka reaguar ndaj PDK-së e cila ka thënë se ministria e Infrastrukturës i ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë.
Durmishi ka thënë se përpjekja e PDK-së për t’i bërë të duken si ajo vet është e dobët dhe e dështuar. Madje ai ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj deklaratave të cilat deputeti Abelard Tahiri përmes një konference akuzoi MI-në për 42 kontrata njëburimore me vlerë mbi 9 milionë euro.
Zëvendësministri përmes një postimi në ”Facebook”, ka thënë se kjo mënyrë e qeverisjes së drejtë, sipas tij po ju pengon shumë atyre që nuk lanë asnjë të zezë pa e bërë.
”Asnjë shkelje të ligjit nuk e kemi bërë, e nuk e kemi asnjë aferë korruptive, e për më shumë kujdesemi në maksimum për paranë publike, gjë që është e pa kuptueshme për qeverisjet e kaluara e sidomos për PDK-në, që e zhvatën shtetin për vite me rradhë”, ka shkruar Durmishi.
Duke iu referuar konferencës së PDK-së, ai ka thënë se është vetëm një kontratë e negociuar e lidhur nga MMPHI-ja, për projektin e “Zgjatjes së pistës së aeroportit Adem Jashari”, projekt ky i ndërprerë për shkak të pandemisë. Ai shton se sot pista e aeroportit është e zgjatur, janë instaluar mjete navigimi që aeroportin e Kosovës e bëjnë më të sigurtin në Ballkan.
”Të gjitha kontratat tjera janë të nënshkruara nga qeverisjet e kaluara, me gabime të mëdha, në projekte, paramasa, pozicione të pa parashikuara e duke lënë gjithmonë hapësirën për penallti, pra ku Ministria obligohet të paguaj dëmshpërblime milionëshe pa asnjë punë të kryer dhe ndërkohë në teren përballemi me një gjendje jo të mirë të rrugëve për shkak të punimeve të ndërprera. Në mënyrë që ti përfundojmë këto kontrata kemi nënshkruar aneks kontratat për punë shtesë, të gjitha sipas legjislacionit në fuqi dhe në përpikëshmëri me të”, ka shkruar tutje Durmishi.
Durmishi ka theksuar në fund se PDK, që nuk ka lënë gjë pa bërë duke abuzuar me pushtetin, madje për këto fjalë të tij ai ka ofruar edhe dëshmi.
”Vetëm një dëshmi po u’a jap që e tregon se si qeverisim ne me vendin tonë dhe se sa kujdesemi për paranë publike. Mirëmbajtja verore e dimërore për rrugët regjionale e nacionale qeverisjeve të kaluara ju ka kushtuar 19 milion euro në vit. Kurse në qeverisjen tonë për një vit për rrugët e njejta vetēm 9 milion euro. Edhe më lirë e natyrisht edhe më mirë. Kjo parti është në hall me xhepin e saj që e kishte të lidhur me buxhetin e shtetit. Qeverisja e keqpërdorimit të buxhetit të shtetit ka marrë fund dhe nuk kthehet më. Natyrisht që për të gjitha këto shpifje ne do të ngrisim padi në organet e drejtësisë”, ka shkruar ai./21Media

Back to top button