Ministria e Mbrojtjes e Serbisë: Arrestimi i të dyshuarit në Bujanoc, s’lidhet me situatën në veri

Arrestimi i një personi me nacionalitet shqiptar në Bujanoc, në jug të Serbisë, aktualisht nuk mund të lidhet drejtpërdrejt me krizën në Kosovë, tha Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
“Por, ekziston shqetësimi, sepse ai person është arrestuar me një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni”, tha sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes, Nemanja Staroviq, për Radion Evropa e Lirë.
Më herët, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) njoftoi se tek i arrestuari, i cili është i dyshuar për terrorizëm, u gjet “sasi e madhe armësh, dhjetë pushkë, një snajper me shurdhues, një scorpion [armë automatike] me shurdhues, një kilogram lëndë shpërthyese, si dhe një sasi e madhe e municionit”.
“Dyshohet se armët janë marrë përmes kanaleve të paligjshme dhe se qëllimi i të dyshuarit ka qenë transportimi i tyre në zonën e Kosovës dhe Metohisë”, u tha në njoftim.
BIA, në njoftimin e saj të datës 27 dhjetor, tha se është arrestuar një person me nacionalitet shqiptar, duke përmendur vetëm inicialet e tij: A.B.
Megjithatë, nuk u specifikua nëse është shtetas i Serbisë apo i ndonjë shteti tjetër.
BIA është shërbim civil i sigurisë dhe është pjesë e sistemit të sigurisë dhe inteligjencës së Serbisë./rel

Back to top button